Qeveria e Polonisë thotë se do të protestojë ndaj Rusisë pasi flamuri polak u hoq nga një memorial i Luftës së Dytë Botërore në Katyn.
Sipas mediave të huaja, autoritetet ruse hoqën flamurin nga monumenti në “Smolensk Oblast”, i cili përkujton 25,000 oficerët ushtarakë polakë të vrarë nga forcat sovjetike në vitin 1940.
Zhdukja e tij thuhet se u vu re në rrjetet sociale të premten nga vizitorë dhe historianë.
Kryetari i bashkisë së Smolenskut, Andrei Borisov, ka konfirmuar se vetëm flamuri rus po valëvitet tani në hyrje të memorialit Katyn.
“Nuk mund të ketë flamur polak në monumentet ruse, dhe aq më pak pas deklaratave të sinqerta anti-ruse të politikanëve polakë”, citohet të ketë thënë Borisov të premten.
“Mendoj se Ministria e Kulturës e Federatës Ruse mori vendimin e duhur për heqjen e flamurit polak. Katyn është një memorial rus”, ka shtuar ai.
Vendimi për heqjen e flamurit polak vjen në një kohë të tensioneve të rritura midis Moskës dhe Varshavës që kur Rusia filloi agresionin mbi Ukrainë.
Polonia, një anëtare e NATO-s, e ka mbështetur Kievin duke e furnizuar atë me armë.
Memoriali i Katinit në Rusinë perëndimore ka qenë prej kohësh një burim debati, me Moskën që ka mohuar çdo rol në masakër për vite me radhë.
Trupat e më shumë se 4000 të burgosurve polakë të luftës janë varrosur në varrezat, të cilat drejtohen nga autoritetet ruse.