Forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës njoftuan sot se Rusia ka sulmuar sërish disa rajone të Ukrainës me raketa që synojnë goditjen e infrastrukturës së energjisë.
Autoritetet thanë se ushtarët ukrainas rrëzuan katër raketa lundrimi ruse dhe 10 dronë të prodhuar nga Irani gjatë sulmit.
Sirenat e sulmit ajror ranë për më shumë se tre orë në Kiev, banorët e të cilit kërkuan strehim.
Sulmet ruse janë bërë pjesë e jetës së përditshme në kryeqytet.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitalii Klitschko, njoftoi se i ashtuquajturi sezoni i ngrohjes do të fillojë të enjten, disa ditë më herët se zakonisht.
Klitschko tha se ky vendim është marrë në mënyrë që banorët e Kievit të mos mbingarkojnë sistemin tashmë të ngarkuar të furnizimit me energji elektrike duke ndezur ngrohëset elektrike dhe kondicionerët.
Gjatë bombardimeve mbrëmë dhe mëngjesin e sotëm në Energodar, qyteti më i afërt me termocentralin bërthamor Zaporozhye, furnizimi me energji elektrike dhe ujë u ndërpre në disa rrethe të qytetit.
Sipas raportimeve më herët sot, një nga nënstacionet e energjisë u dëmtua nga granatimet, tha kryetari i komunës Energodar, Dmitro Orlov.
Një infrastrukturë e rëndësishme u sulmua nga raketat ruse S-300 në rajonin e Zaporozhye, tha guvernatori rajonal Oleksandr Starukh.
Forcat ruse gjithashtu shënjestruan rëndë dy zona në rajonin lindor të Dnipropetrovsk, duke ndërprerë energjinë në disa qytete dhe fshatra.
Në fjalimin e tij sonte, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje qytetarëve që të përdorin energjinë elektrike me kursim.
“Të gjithë ata që ndjekin këtë rregull të thjeshtë për orët e pikut, ndihmojnë të gjithë vendin,” tha Zelensky.