Rusia është gati të shkojë drejt një vendimi ekstrem nëse raketat perëndimore godasin në brendësi të territorit rus. Këtë fakt e ka bërë të ditur kryetari i Dumës ruse. Ligjvënësi i lartë rus tha se sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë me raketa perëndimore do të çonin në luftë globale me përdorimin e armëve bërthamore dhe se përgjigja e Moskës do të ishte e ashpër me armë më të fuqishme.
Vyacheslav Volodin, kryetari i Dumës së Rusisë, nënvizoi edhe votimin e Parlamentit Europian duke theksuar se nëse Perëndimi jep leje për sulme të tilla thellë në territorin rus, atëherë kjo do të çonte në një “luftë globale me përdorimin e armëve bërthamore”, shkruan A2.
Sakaq, Putin ka premtuar prodhimin e një numri të madh dronësh për vitet e ardhshme. Në vitin 2023, 140 mijë dronë të llojeve të ndryshme iu dorëzuan forcave të armatosura ruse dhe vitin e ardhshëm prodhimi i këtyre armëve pritet të rritet “dukshëm, me gati 10 herë”. Kështu ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin. Shumica e këtij prodhimi, shtoi udhëheqësi rus, do të dërgohet në trupat në front.
Lufta e Ukrainës ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Rusisë dhe Perëndimit që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962, e cila konsiderohet të jetë koha kur dy superfuqitë e Luftës së Ftohtë iu afruan më shumë luftës bërthamore të qëllimshme.
Burimi: botasot.info