Rusia pretendon se rajonet e saj kufitare janë sulmuar. Moska godet qytetin në qendër të Ukrainës

Rajoni jugor rus i Belgorodit në kufi me Ukrainën u godit të premten me artileri, predha e dronë. Autoritetet fajësuan ushtrinë ukrainase në një njoftim lidhur me sulmin, disa orë pasi dy dronë goditën një qytet rus, në një zonë pranë gadishullit të aneksuar të Krimesë.

Ndërkohë, forcat e Moskës goditën një ndërtesë që përmbante klinika psikologjike dhe veterinare në qytetin Dnipro, në Ukrainën qendrore. Si pasojë u vranë dy persona dhe u plagosën 30 të tjerë, mes tyre dy fëmijë, njoftuan zyrtarët ukrainas.

Një video e publikuar nga guvernatori rajonal Serhiy Lysak tregonte ndërtesën trekatëshe në flakë, pothuajse të shkatërruar, ndërsa zjarrfikësit përpiqeshin të shuanin zjarrin.

Një raketë ruse S-300 goditi një digë në Karlivka të provincës Donetsk në Ukrainën lindore, duke vendosur në rrezik përmbytjeje shtëpitë aty pranë.

Më afër kufirit, një qendër argëtimi, një dyqan dhe një shtëpi u dëmtuan në fshatin Glotovo ndërsa një person u plagos njoftuan autoritetet.

Në fillim të kësaj jave, rajoni i Belgorodit ishte objektivi i një prej sulmeve më serioze ndërkufitare nga Ukraina, që nga fillimi i luftës 15 muaj më parë. Rusia fajësoi forcat e armatosura të Ukrainës, por dy grupe ruse thanë se ishin të përfshirë, me qëllim rrëzimin e Presidentit rus Vladimir Putin.

Zyrtarët në qytetin jugor të Rusisë, Krasnodar, në rajonin me të njëjtin emër në kufi me Krimenë, thanë se qyteti ishte goditur nga dy dronë.

Guvernatori rajonal i Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, shkruante në Telegram se nuk kishte viktima, dhe se nuk ishin dëmtuar objekte të rëndësishme infrastrukturore.

Sulmet me dronë kundër rajoneve kufitare ruse kanë qenë një dukuri e rregullt që nga fillimi i sulmit në shkurt 2022, që pësuan kryesisht rritje muajin e kaluar./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Deklaratë e Kryesisë së Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan

Story i radhës

Kovaçevski: Nuk është rritur çmimi i energjisë elektrike

Të fundit nga