Rusia: Pjesët e raketave në fshatin polak i përkasin sistemit të mbrojtjes ajrore S-300 të Ukrainës

min lexim

Pas rënies së një rakete në Poloninë lindore që la të vdekur dy persona, Rusia ka deklaruar se të gjitha sulmet ajrore të saj dje në Ukrainë u kryen vetëm në territorin e atij vendi dhe të gjitha ato ishin të paktën 35 kilometra larg kufirit polak, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se sulmet u kryen me armë të precizionit të lartë dhe se kishin në shënjestër sistemin e komandës ushtarake të Ukrainës dhe sistemet e energjisë të lidhura me të.

“Të gjitha raketat e lëshuara në sistemin e komandës ushtarake të Ukrainës goditën saktësisht objektet e përcaktuara”, tha ministria ruse.

Sipas ministrisë ruse, fotografitë e pjesëve të raketave në fshatin polak Przewodow, që u godit mbrëmë, u identifikuan si elementë që i përkasin sistemit të mbrojtjes ajrore S-300 të Ukrainës.

“Deklaratat për raketat ruse që ranë në vendbanimin polak Przewodow janë një provokim i qëllimshëm me qëllim destabilizimin e situatës”, theksoi ministria.

Ushtria ruse gjithashtu mohoi sulmet në kryeqytetin ukrainas Kiev, duke theksuar se “shkatërrimi në zonat e banuara të Kievit është rezultat i rënies dhe vetë-shkatërrimit të raketave të lëshuara nga trupat ukrainase”.

Mbrëmë, autoritetet polake raportuan se një raketë goditi fshatin Przewodow.

Sot, zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se zbulimet fillestare sugjerojnë se raketa është lëshuar nga forcat ukrainase që synonin një raketë të lëshuar ruse.

Më herët, edhe presidenti amerikan, Joe Biden, tha se “nuk ka gjasa” të jetë lëshuar nga Rusia raketa e cila vrau dy persona në Poloninë aleate të NATO-s.

Ambasadorët e NATO-s gjatë ditës do të takohen për të diskutuar incidentin.

Sipas një njoftimi nga aleanca, takimi urgjent në selinë e NATO-s në Bruksel, i kryesuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të diskutojë “incidentin tragjik” ku u vranë dy persona.

Burimi: GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ermal Fejzullahu rrëfen sfidën e ankthit: Kam qenë tek psikologu, kisha “çrregullim paniku”

Story i radhës

Shkupi në vendin e 13-të në botë për nga ndotja e ajrit

Të fundit nga