Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po përpiqet të riparojë marrëdhëniet me Presidentin Bashar al-Asad të Sirisë, të dëmtuara pasi Ankaraja mbështeti rebelët sirianë për vite me radhë. Por zoti Assad po refuzon bisedimet derisa Turqia të tërheqë forcat e saj nga Siria. Siç na njeh materiali në vazhdim, Rusia mund të mbajë çelësin për zgjidhjen e ngërçit mes Turiqë dhe Sirisë.
Për më shumë se një dekadë Presidenti Rexhep Tajip Erdogan mbështeti rebelët sirianë. Ndërsa rebelët përballen me disfatë, zoti Erdogan po përpiqet të riparojë marrëdhëniet me Presidentin sirian Bashar al-Assad, ndërsa Ankaraja kërkon të kthejë miliona refugjatë sirianë.
Analistët thonë se zoti Erdogan e ka të qartë se Presidenti Assad do të mbetet në pushtet, falë mbështetjes nga Irani dhe Rusia.
Zëri i Amerikës bisedoi me analistin Sinan Ciddi të Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive me qendër në Uashington.
“Tani, Erdoganit i duhet të bashkëjetojë me të. Bashkëjetesa do të thotë që, në thelb, ai duhet të negociojë me të, sepse ai ka disa kërkesa për regjimin sirian. Njëra është trysnia publike masive në Turqi për të kthyer në Siri një numër të konsiderueshëm refugjatësh sirianë”.
Por zoti Assad ka kushtëzuar bisedimet me Edoganin me tërheqjen e forcave turke nga Siria.
Për Presidentin Erdogan, kjo është e panegociueshme. Ai argumenton se është jetike që Turqia t’u kundërvihet kërcënimeve nga forcat kurde siriane, të cilat i akuzon se kanë lidhje me rebelët brenda Turqisë.
“Për sa kohë që Turqia ndjen se ka një kërcënim sigurie që buron nga pjesa jugore e kufirit ose pjesa veriore e Sirisë, forcat turke do të vazhdojnë të qëndrojnë atje”, thotë për Zërin e Amerikës ish-ambasadori turk në Damask, Omer Onhon.
Së fundmi, zoti Assad u ripranua në Ligën Arabe, duke i dhënë fund izolimit rajonal. Disa analistë thonë se kjo po e inkurajon atë të mbajë një qëndrim gjithnjë e më kategorik ndaj fqinjit të tij të fuqishëm.
“Në fjalimin e tij të parë në Lidhjen Arabe, zoti Assad kritikoi politikat ekspansioniste të Perandorisë Osmane, duke nënkuptuar Turqinë. Pra, gjëja e parë që bëri ishte të kritikonte Turqinë. Çka do të thotë se e kaluara do të vazhdojë të ndikojë tek marrëdhëniet, pavarësisht se Siria ka nevojë për mbështetjen e Turqisë për të rindërtuar vendin e saj”, thotë për Zërin e Amerikës analistja Selin Nasi.
Rusia ofron mbështetje jetike ushtarake për Damaskun dhe Presidenti Vladimir Putin mund të mbajë çelësin për zgjidhjen e ngërçit mes Asadit dhe Erdoganit. Në takimin e këtij muaji me zotin Edrogan, Presidenti Putin theksoi nevojën për bashkëpunim në Siri.
“Ishte Rusia ajo që inkurajoi, le të themi, Turqinë dhe regjimin e Asadit që të takoheshin në nivelin e ministrave të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme. Kështu që Rusia ka një rol. Pyetja qëndron nëse interesat dhe përparësitë e Rusisë përkojnë me interesat dhe përparësitë e Turqisë apo edhe të regjimit të Asadit”, thotë për Zërin e Amerikës ish-ambasadori turk në Damask, Omer Onhon.
Vëzhguesit thonë se konflikti në Siri i jep Presidentit Putin një pozitë të rëndësishme në marrëdhëniet e tij komplekse me zotin Erdogan.
Burimi: GAZETA.MK