Rusia nisi sulme me raketa anembanë Ukrainës të shtunën në mëngjes, duke vendosur në shënjestër kryesisht objekte ushtarake.
New York Times njoftoi se në këto sulme u përdorën më shumë se 40 raketa, të cilat sipas gazetës u lëshuan nga hapësira ajrore bjelloruse vetëm disa orë përpara një takimi mes Presidentit rus Vladimir Putin me atë bjellorus Aleksandr G. Lukashenko në Shën Petersburg.
Nuk ka ende informacione për viktima të mundshëm si pasojë e këtyre sulmeve.
Ndërkohë trupat ukrainase njoftuan se po tërhiqen nga qyteti lindor i Sievierodonetskut pas disa javë luftimesh të ashpra me forcat ruse.
Guvernatori i rajonit të Luhanskut Serhiy Haidai tha se trupat kishin marrë urdhër për t’u zhvendosur në pozicione të reja.
Ukraina tha se forcat ruse kishin pushtuar plotësisht qytetin fqinj Lysychanskun që gjithashtu shtrihet në rajonin lindor të Luhanskut. Moska pretendoi se ka rrethuar rreth 2,000 trupa ukrainase në këtë zonë.
Gjasat janë që Kremlini të marrë kontrollin e plotë të provincës Luhansk, një nga objektivat e shpallura të Moskës.
Për të stabilizuar situatën në Luhansk, Ukrainës i duhet armë i tha gjenerali më i lartë ukrainas, homologut të tij amerikan të premten.
“Diskutuam mbi situatën operacionale dhe rrjedhën e ndihmës teknike ndërkombëtare”, shkruante gjenerali ukrainas Valeriy Zaluzhniy në aplikacionin Telegram pas një telefonate me gjeneralin Mark Milley, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-ve.
Ukraina ka thënë se avantazhi që ka Rusia në artileri, në vijën e frontit të Donbasit, po u kushton shumë trupave ukrainase, ndaj Kievi u ka bërë bërë thirrje partnerëve perëndimorë që ta furnizojnë me më shumë armë.
Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes vlerësoi të premten vendimin e Ukrainës për t’u tërhequr nga Sievierodonetsku, duke e cilësuar atë si masë “profesionale” e “taktike”.
Zyrtari që foli në kushte anonimiteti tha se forcat ruse kanë qenë në gjendje të përparojnë rreth Sievierodonetsk, por me kosto të konsiderueshme sikurse shtoi ai.
“Rusët kanë pësuar viktima të shumtë e humbje në armatime të rënda”, tha zyrtari. “Forcat ruse po japin shenja të konsumimit dhe të moralit të dobësuar dhe kjo po ndikon në aftësinë e tyre për të përparuar me shpejtësi”.
SHBA-të premtuan këtë javë 450 milionë dollarë më shumë në ndihmë ushtarake për Ukrainën, përfshirë sisteme të tjera raketash me rreze të gjatë veprimi, krahas një ndihme prej 1 miliard dollarësh që u njoftua rreth një javë më parë.
Zyrtari i lartë amerikan i mbrojtjes tha të premten se forcat ukrainase po stërviten me katër sisteme të tjera raketash të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) pjesë e paketës së sapo shpallur. Sistemet amerikane do të vihen në përdorim në luftë, brenda disa javësh./VOA