Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të ditur se Rusia do t’i dërgojë aleatit të saj, Bjellorusisë raketa bërthamore Iskander-M me rreze të shkurtër veprimi në muajt e ardhshëm. Këto raketa mund të veprojnë në një distancë deri në 500 km (310 milje).
Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë përshkallëzuar, pas vendimit të Presidentit Putin për të pushtuar Ukrainën më 24 Shkurt. Putin ka bërë deklarata për armët bërthamore pas saksioneve të vendosura nga Perëndimi, të cilat disa i kanë interpretuar si një paralajmërim për vendet perëndimore që të mos ndërhyjnë.
Nga Shën Petersburgu, Putin tha se Rusia do të ndihmonte në modifikimin e avionëve luftarakë bjellorusë SU-25 në mënyrë që ata të mund të mbanin armë bërthamore.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se disa shpërthime janë raportuar në Kiev këtë të dielë.
“Ambulancat dhe ekipet e shpëtimit ndodhen në vendngjarje. Në dy godina është në proces shpëtimi evakuimi i banorëve”, shtoi ai.
Agjencia e lajmeve AFP raportoi se një kompleks banimi në qytet ishte goditur.
Të shtunën Ukraina tha se forcat ruse kishin “pushtuar plotësisht” qytetin kyç lindor të Severodonetsk, pas javësh luftimesh të ashpra. Marrja e qytetit do të thotë se Rusia tani kontrollon pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe pjesën më të madhe të Donetskut fqinj.