Rusia do të ndërpresë furnizimin me gaz në Holandë të martën, tha sot kompania GasTerra pasi kjo e fundit refuzoi të paguajë furnizuesin Gazprom në rubla, në përshkallëzimin e fundit të mosmarrëveshjes për pagesat e energjisë me perëndimin.
Gazprom Export ka kërkuar që vendet evropiane të paguajnë për furnizimet me gaz rus në rubla për shkak të sanksioneve të vendosura për pushtimin e Ukrainës nga Moska. Gazprom tashmë kishte ndërprerë gazin për Finlandën, Poloninë dhe Bullgarinë pasi ato refuzuan të respektonin kushtet e reja të pagesës.
GasTerra, e cila blen dhe tregton gaz në emër të qeverisë holandeze, tha në një deklaratë se kishte “parashikuar” lëvizjet e Rusisë për të ndërprerë gazin dhe se ka blerë “diku tjetër” disa nga 2 miliardë metra kub gaz që pritej të merrte nga Gazprom deri në tetor.
Rreth 44% e përdorimit të energjisë holandeze bazohet në gaz, por vetëm rreth 15% e gazit holandez vjen nga Rusia, sipas shifrave të qeverisë. Qeveria holandeze njoftoi më herët planet e vendit për të ndaluar përdorimin e karburanteve fosile ruse deri në fund të vitit.
Vendet evropiane janë të ndara se si t’i përgjigjen kërkesës së Moskës që të gjitha pagesat për gazin të bëhen në monedhën vendase. Gjermania dhe Italia thuhet se u kanë thënë kompanive të tyre se mund të hapin llogari në rubla për të vazhduar blerjen e gazit rus pa shkelur sanksionet, transmeton Guardian.