Kremlini njoftoi se do t’i aneksojë formalisht katër rajone të Ukrainës, ku së voni u mbajtën të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë.
Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se ceremonia e nënshkrimit do të mbahet të premten.
Në të, sipas tij, do të marrin pjesë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësit e instaluar nga Moska të katër rajoneve ukrainase: Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja.
Zyrtarët pro-rusë të këtyre rajoneve thanë se votuesit e kanë mbështetur me shumicë votash bashkimin me Rusinë.
Por, referendumet e ashtuquajtura u hodhën poshtë nga Ukraina, qeveritë perëndimore dhe Kombet e Bashkuara, duke thënë se ato janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.Të katër rajonet formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.
Njoftimi i Kremlinit erdhi vetëm disa orë pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë.
“Ne nuk i pranojmë referendumet e rreme dhe asnjë lloj aneksimi në Ukrainë. Jemi të vendosur që ta bëjmë Kremlinin të paguajë çmim për këtë përshkallëzim të mëtejshëm [të situatës]”, u tha von der Leyen gazetarëve në Bruksel.
Paketa e tetë e propozuar e sanksioneve përfshin ndalime të mëtejshme të importit të produkteve ruse, që do ta privojnë Moskën nga 7 miliardë euro të ardhura.Shtëpia e Bardhë tha, po ashtu, se SHBA-ja nuk do t’i njohë kurrë përpjekjet e Rusisë për të aneksuar pjesë të Ukrainës.
Ajo tha se po përgatit sanksione të reja ekonomike kundër Moskës, që do të imponojnë një “kosto të rëndë ekonomike për Rusinë”.
“Ne kurrë nuk do t’i njohim këto përpjekje të paligjshme për aneksim”, u tha gazetarëve sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
“Ne do të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë për të imponuar kosto shtesë ekonomike mbi Rusinë dhe individët dhe subjektet brenda dhe jashtë Rusisë”, shtoi ajo.Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në fund të shkurtit.
Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar afro 6.000 njerëz të vrarë në luftime – edhe pse kjo shifër besohet të jetë shumë më e lartë – dhe së paku 12 milionë të zhvendosur.
Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh ekonomike dhe diplomatike kundër Rusisë, ndërkohë që Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.