Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, priti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, Drejtorin e ri të programit të trajnimeve ndërkombëtare për godijen e krimit të organizuar, ICITAP, z. Richard Deasy dhe drejtorin e Byrosë Amerikane Kundër Narkotikëve INL, z. John Kastning.
Fokusi i diskutimit me titullarët e Programit dhe Byrosë ishte progresimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me Policinë e Shtetit, për hetime të përbashkëta, goditje të unifikuara kundër grupeve kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve me burim krimin.
Drejtori i Përgjithshëm çmoi bashkëpunimin e deritanishëm me ICITAP-in dhe me INL-në, për fusha me ekspertizë të lartë dhe me rëndësi për qytetarët, si dhe shprehu gatishmërinë e Policisë së Shtetit për të intensifikuar më tej bashkëpunimin kundër fenomeneve kriminale të organizuara dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, Rrumbullaku kërkoi nga krerët e ICITAP dhe INL, asistencë dhe kontribut të mëtejshëm për implementimin e sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore (PRIMS).
Ndërkaq dhe titullarët e Programit dhe Byrosë ofruan asistencë në favor të qëllimeve të përbashkëta dhe për shkëmbimin e praktikave më të mira.