Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës rrezikon të mbetet jashtë agjendës së punimeve që do të mbahen më 16 dhe 17 maj. Derisa, i njëjti fat mund ta përcjellë vendin edhe në takimet tjera të këtij këshilli. Për këtë opozita fajëson qeverinë, e mazhoranca zhvillimet politike me Serbinë. E ambasadori i Suedisë, nuk foli për mediet për këtë çështje.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës rrezikon të mbetet jashtë agjendës së punimeve të ardhshme të këtij këshilli. Në këtë drejtim, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thonë se kanë ndikuar zhvillimet politike me Serbinë.
Nga ky subjekt shprehen skeptikë nëse vendi do të arrijë të futet në agjendën e takimeve që do të mbahen gjatë muajit maj. Por thonë se pas pranimit të planit franko-gjerman për dialogun, presin që vendosja e aplikimit në agjendë të mos marrë shumë kohë.
“Besoj që duhet ta kenë parasysh që Kosova duhet të futet sa më shpejt në agjendën e Këshillit të Evropës, nëse jo në maj besoj që në takimet e radhës mund të jetë, natyrisht do të punohet që kjo datë të jetë sa më e afërt”, tha Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deputete e LVV-së.
Ndërkaq, deputetë të partive opozitare kritikojnë qeverinë dhe delegacionin që e përfaqëson vendin në këtë këshill.
“Është meritë e qeverisë që ende nuk ka hy në agjendë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit dhe për shkak të mosdakordimit të veprimeve me aleatët tanë ndërkombëtarë”. Time Kadrijaj, deputete e AAK-së
“Shpresoj që do të ketë një angazhim më të madh sepse vendimit ose procedurat nuk hynë për tu votuar në asamble nëse nuk kalojnë në byronë e asamblesë”, tha Xhavit Haliti, deputet i PDK-së.
Lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe çështje të tjera, anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme u takuan të hënën me ambasadorin e Suedisë në Kosovë.
Ky i fundit ofroi përkrahjen e shtetit të tij për rrugën e Kosovës drejt proceseve integruese, por nuk dha ndonjë deklaratë lidhur me anëtarësimin e saj në këtë organizatë të rëndësishme.