Kjo rrugë, e cila njihet ndryshe si rruga e Lasgushit, pasi të çon tek shtëpia e lirikut të madh, shumë shpejt do të këtë një pamje tjetër. E ndodhur në zonën muzeale të qytetit, gjithë lagjia do i nënshtrohet një restaurimi total në infrastrukturë, rrjete inxhinierike, rindërtimit të fasadave si dhe restaurimit të shtëpive muzeale.
Kjo do të mundësohet me investimin prej 6.4 milionë euro të qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Pas disa restaurimeve të pjesshme që ka bërë drejtoria e Monumenteve të Kulturës, ky projekt është i pari që do të zbatohet në këtë lagje muzeale 200 vjeçare, që pas viteve 1990.
Për nënkryetarin e Bashkisë së Pogradecit, projekti parashikon ndërhyrjen në infrastrukturën e gjithë lagjes, si në rrjetin e kanalizimeve, ndërtimin e rrugëve të kalldrëmta, fasadat e shtëpive, si dhe restaurimin e pjesshëm apo të plotë në 100 ndërtesa.
Në këtë projekt që parashikohet të zgjasë 14 muaj, synohet që kjo lagje e vjetër muzeale të rivitalizohet dhe të bëhet një nga zonat më të vizitueshme të qytetit.
Duke i cilësuar si histori suksesi rivitalizimin e lagjeve historike dhe Pazarin e qytetit të Korçës, edhe në lagjen muzeale të Pogradecit, pritet të ndiqet i njëjti shembull. Për nënkryetarin Ziko, në këtë zonë do të hapen bujtina, bare dhe restorante duke i shtuar qytetit një tjetër atraksion.
Për drejtoreshen e muzeut Froseda Tole, fillesat e kësaj lagje janë në shekullin e 19. Kanë qenë zhvillimet historike të kohës që kjo lagje të jetë kështu siç vjen sot. Paria e krishterë e këtij qyteti, për të mos kaluar në varësinë direkte të Sulltanit, bëri spostimin e tregut nga vendi ku e kishte caktuar administrata osmane, në këtë vend. Zgjedhja e këtij vendi për të ndërtuar shtëpitë dhe dyqanet u bë për shkak të burimeve të mëdha të ujit që kishte ky territor.
Arkitekti francez që u kontraktua nga paria, duket se ka bërë nje mrekulli dhe në arkitekturë, por dhe në urbanizim, duke parashikuar dhe zhvillimin e qytetit për të paktën 200 vjet.
Mikel Icka tregon se shtëpia e paraardhësve të tij është ndërtuar në vitin 1800. Tërësisht duke u bazuar në arkitekturën osmane, ajo ka qenë kati i dytë shtëpi banimi dhe kati i parë punishte e përpunimit të xhamit. Gjendja e saj është e përkryer edhe pas kaq vitesh…
Vlerat më të mëdha të kësaj lagje janë edhe historike. Një javë pas çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë, në njërën prej këtyre shtëpive u çel shkolla shqipe. Në këtë lagje ndodhen dhe shtëpitë e dy penave të shquara të letërsisë shqipe, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli.
Pas përfundimit të projektit 14 mujor, kjo lagje, ku çdo shtëpi ka një histori, do jetë pa dyshim, vendi më i preferuar i vizitorëve, duke e bërë shumë shpejt një nga atraksionet më konkuruese të juglindjes.
BURIMI: Bota Sot