“Rrufeja” e shtatorit që i çoi në burg krerët e OVL-së

min lexim

Gjykata Speciale të mërkurën shpalli aktgjykimet e para ndaj dy kosovarëve të akuzuar. Pamjet nga Haga në Kosovë u pritën me interesim të madh. “Në emër të popullit të Kosovës”, kryetari i trupit gjykues e shpalli aktgjykimin të cilin familjarët thanë se e kishin pritur. Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Një person i maskuar, ende i paidentifikuar, tri herë radhazi çoi dosje të Gjykatës Speciale në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 2020. Në verë të po atij viti, kishte nisur seriozisht gjithçka. Kjo gjykatë kishte njoftuar për një aktakuzë deri atëherë të pakonfirmuar të dorëzuar nga Prokuroria kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Ata ngarkoheshin me pretendime se kishin kryer krime makabre gjatë luftës së fundit, që për shumëkënd në Kosovë është e paprekshme edhe e shenjtë, shkruan Gazeta Express.

Në OVL-UÇK veçse ishte shfaqur jo pak neveri ndaj Speciales. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj kishin thirrur disa herë konferenca të jashtëzakonshme për media për të prezantuar e shpërndarë materialet që ua çonte në zyrë personi të cilin do ta quanin “Rrufeja”, pasi zhdukej sapo i linte dokumentet.

Pas secilës vizitë nga “Rrufeja”, Gucati dhe Haradinaj njoftonin për “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Në konferencat për media gazetarëve u ishte lejuar t’i merrnin dokumentet.

Pas çdo konference, dokumentet konfiskoheshin nga hetuesit në Hagë.

Fillimisht Specialja nuk konfirmonte se dokumentet konfidenciale ishin autentike. Në procesin gjyqësor, prokuroria dhe gjykata iu referuan atyre si “dokumente zyrtare”.

Prokuroria e Specializuar kishte thënë se disa aktivitete, në të cilat ishte përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin për qëllim “të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur”.

Të premten e 25 shtatorit 2020, për më shumë se 8 orë, zyrtarë të EULEX-it i kishin bastisur zyrat e OVL të UÇK-së. Gucati dhe Haradinaj u arrestuan atë ditë dhe më pas u transferuan në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Pasi e kishte kuptuar se Gucati po arrestohej, Haradinaj e pati dhënë një premtim para se të arrestohej edhe vetë.

“Sa të jetojmë e të kemi frymë, ne jemi kundër kësaj gjykate, fund. Do të punojmë kundër kësaj gjykate, fund. dhe besoj se kjo ditë është një ditë e cila troket në të gjitha dyert e ne qytetarëve të Kosovës”./express

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Acer Spin 714 është Chromebook më i mirë në shitje

Story i radhës

Berisha deklarata ndaj Ramës dhe Yuri Kim: E ndiejnë veten që mund të ndërhyjnë në procese gjyqësore

Të fundit nga