Një autobus nga Serbia është përmbysur në autostradën e Trakës në Bullgari, duke lënduar tetë fëmijë dhe katër të rritur, disa prej tyre rëndë, raporton Euronews Bulgaria, përcjell media serbe N1. Autobusi përfundoi në një kanal.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy autoambulanca, një zjarrfikës dhe disa mjete policie. Të gjithë pasagjerët janë shtetas të Serbisë dhe në autobus kanë qenë 48 persona. Ata po ktheheshin nga Sunny Beach, pas pjesëmarrjes në festivalin në Nessebar, sipas mediave bullgare.
Aksidenti ka ndodhur në afërsi të Stara Zagorës. Ndërkaq, RTS raporton se të lënduarit po transportohen në spitalin e Stara Zagorës dhe se dy persona kanë marrë lëndime të rënda, njëri prej të cilëve është fëmijë.
Gjithashtu televizioni publik bullgar bën të ditur se ende nuk dihet shkaku i aksidentit, por edhe se në autostradën për në Sofje është krijuar një bllokadë dhe kolona të gjata, si dhe është krijuar një korridor për mjetet e emergjencës.