Shkalla e realizmit të investimeve kapitale edhe gjatë këtij viti ka qenë ulët, madje deri në tetor të këtij viti nuk është realizuar as gjysma e buxhetit të paraparë për investime. Kështu thotë drejtori ekzekutiv në Institutin GAP, Blendi Hasaj, i cili nënvizon se është shumë e rëndësishme që qeveria të rris ritmin e investimeve në sektorin e energjisë, që të krijohet një infrastrukturë e qëndrueshme për bizneset.
Hasaj thotë se problematikë për vendin vazhdon të mbetet edhe çështja e migrimit, për çka shton se shteti po humb pjesën më produktive të shoqërisë, ndërsa kërkon që Qeveria të jetë më aktive në përmirësimin e sektorit të arsimit në Kosovë. Përveç, kësaj, Hasaj ka folur edhe për trendët ekonomike, ku tha se norma e rritjes ekonomike rreth 4 për qind është e pamjaftueshme për vendin.
Ai derisa thotë se shkalla e realizmit të investimeve kapitale është një problematike e përvitshme në Kosovë edhe nga qeveritë e kaluara, shton se këtë vit deri në tetor shkalla e realizimit të tyre ka qenë më e ulët se 50 për qind.
Hasaj: Për këtë vit shkalla e realizmit të investimeve kapitale ka qenë më e ulët se 50 për qind
“Për vitin 2024, me të dhënat që i kemi deri në tetor të këtij viti shkalla e realizmit ka qenë më e ulët se 50 për qind, pra nuk është realizuar ende as gjysma e buxhetit të paraparë për investime kapitale, dhe natyrisht se kjo kategori do duhej të ishte më prioritare për qeverinë, sepse është kategoria e vetme që asaj ja mundëson që të kryej rolin e saj në ekonomi, duke krijuar një infrastrukturë bazike, të avancuar sistemet e furnizimit me ujë apo sistemet e ngjashme që tërheqin edhe investitorët e huaj, por edhe që t’i nxit ndërmarrësit të investojnë edhe më tej në kapacitete prodhuese. Është shumë e rëndësishme që qeveria të rris ritmin e investimeve në sektorin e energjisë, që të krijohet një infrastrukturë e qëndrueshme ku bizneset janë të sigurta sa i përket furnizimit me energji elektrike, andaj, do duhej të ishte me prioritet që qeveria t’i identifikojë këto pengesat të cilët po ndikojnë një realizim jo të kënaqshëm të investimeve kapitale”, nënvizon Hasaj.
Sfidë për vendin, Hasaj thotë se mbetet migrimi. Sipas tij, nga analizat që kanë bërë është vërejtur një tendencë që personat të cilët migrojnë të jenë persona të cilët qoftë ishin të punësuar në Kosovë apo kanë shkollim të lartë.
Hasaj: Migrimi është një sfidë dhe problem me të cilin po ballafaqohet
“Çështja e migrimit është një sfidë dhe problem me të cilin po ballafaqohet dhe do të ballafaqohet edhe në vijim shoqëria jonë. Është tejet problematike veçmas sa i përket tregut të punës meqë kemi vërejtur edhe nga raportet e Institutit GAP që kemi përgatitur se është një tendencë që personat të cilët emigrojnë të jenë persona të cilët qoftë ishin të punësuar në Kosovë apo kanë shkollim të lartë dhe është shumë problematike kur nga shoqëria fillojnë të largohet kjo kategori e njerëzve, në të cilët edhe shteti ka investuar dhe humb edhe pjesa më produktive e shoqërisë. Përderisa në vitin 2021/22 janë larguar rreth 40 mijë qytetarë nga Kosova sipas shifrave zyrtare, na është krijuar një vakum në tregun e punës për t’i zëvendësuar këta…Ka qenë rekomandim i yni që Qeveria të jetë më aktive në përmirësimin e sektorit të arsimit në Kosovë sepse del të jetë po ashtu një nga arsyet, jo kryesorja, po asht të përmirësohet kualiteti i shërbimeve në shëndetësi…Është një temat që duhet të kemi me prioritet në agjendën qeveritare në mënyrë që me ofrimin e kushteve sa më të mira t’ua mundësojmë qytetareve që të jetojnë dhe punojnë në vendin e tyre e të mos largohen”, shton Hasaj.
Derisa flet për trendin e zhvillimit ekonomik të vendit, konsideron se një rritje ekonomike prej 4 deri në për qind nuk është e mjaftueshme, porse sipas tij, nevojitet një rritje më e madhe që Kosova t’i afrohet standardit të jetesës së qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian.
Hasaj: Rritja ekonomike e pamjaftueshme, duhet të jetë më e madhe
“Në përgjithësi norma e rritjes ekonomike ndonëse të themi këto tri vitet e fundit ka qenë në nivelin mbi 4 për qind, sipas një raporti të fundit apo një deklarate të një zyrtari të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar një trend i tillë i rritjes ekonomike është i pamjaftueshëm që si Kosovë të arrijmë standardin e jetës të qytetarëve në vendet e zhvilluara në BE. Një rritje prej 4 apo 5 për qind nuk është një rritje optimale me të cilën duhej të krenoheshim, sepse duke qenë ekonomi e vogël dhe e varfër na duhet një trend rritje shumë më i lartë shtatë apo tetë për qind, që të paktën kjo koha kur ne na nevojitet që t’i afrohemi standardit të jetesës të vendeve të BE-së. Sepse aktualisht me një normë të tillë rritje siç u tha edhe nga zyrtari i FMN-së na duhen mbi 15 apo 20 vite që të arrijmë standardin e jetesës, jo të gjithin por për së afërmi me vendet e BE-së”, thotë Hasaj.
Ndërkaq, në raportin e fundit të Bankës Botërore, parashihet që Kosova të ketë normën e rritjes ekonomike prej 3.8 për qind më 2024. Sipas Bankës Botërore, për vitin 2025, Kosova do të ketë rritje ekonomike 3.9 për qind.
Burimi: botasot.info