Rritja e pagës minimale, Kuvendi i Kosovës voton projektligjin, opozit dhe veteranët e UÇK-së nuk e miratojnë

min lexim

Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektligjin, i cili hap rrugë për rritjen e pagës minimale.

Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Ky projektligj, i miratuar të martën, është kundërshtuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për shkak të mospërfshirjes së tyre në rritjen e pagës minimale. Ata, për këtë arsye kishin protestuar më 6 qershor para Kuvendit të Kosovës.

Projektligji është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare.

Aktualisht, paga minimale në Kosovë është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.

Veteranët e UÇK-së kanë protestuar më 6 qershor para Kuvendit të Kosovës, për shkak të mospërfshirjes së pensioneve të tyre në rritjen e pagës minimale.

Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, që është 170 euro, dhe kjo është sa aktualisht marrin.

Por, sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziut, nga 2017, kur është bërë një plotësim-ndryshim i Ligjit për veteranët e luftës, një ndërlidhje e tillë më nuk parashihet.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve në Kosovë, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale më 7 qershor, ka theksuar se “nuk është se shteti jep pak për veteranin,”por “veteranit i kanë hyrë në hise disa të tjerë që ndoshta mund të mos jenë veteranë”.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu” kanë vlerësuar se pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur në rastin “Veteranët”, pastrimi i listës së veteranëve nuk mund të bëhet.

Gjykata e Apelit, më 26 prill të vitit 2022, ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”.

Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, u ngrit dyshimi se për 19.500 persona është dhënë statusi i veteranit në mënyrë të paligjshme.

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53,188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37,006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.

Kur më 2017 është shfuqizuar neni i Ligjit për veteranët e luftës, i cili parashihte që pensioni i veteranit mos të jetë më i ulët se paga minimale, i njëjti është plotësuar me nenin që parashihte kategorizimin e veteranëve – varësisht nga vitet e angazhuara në UÇK – gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.

Shuma e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat. REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Në Prishtinë organizohet gara e basketbollit 3×3, premtohet spektakël

Story i radhës

Vazhdojnë kontrollet e policisë rrugore në Berat/ Gjobiten 322 shoferë

Të fundit nga