Shkodra do të mirëpresë gjatë kësaj fundjave “TUBA fest” mes shumë aktiviteteve kulturore dhe sportive.
Bashkia Shkodër ka mirëpritur kërkesën e organizatorëve dhe ka ofruar bashkëpunim për realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore që pasuron jetën e qytetit dhe e promovon atë, sidomos te të rinjtë.
Kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale fton të gjithë të marrin pjesë në këtë festë e cila do zhvillohet në kalanë e Shkodrës.
“Mirëmëngjesi dhe me ftesën që kush mundet të mos e lerë pa marrë energjinë e “TUBA Fest” në kalanë e Shkodrës, më 15-16 Shtator, frymëzuar nga tradita shqiptare e muzikës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në postimin e tij.
Ky festival muzikor përgjatë dy ditëve do të sjellë në Kalanë e Shkodrës performancat live të artistëve dhe grupeve shqiptare më me zë.