Në gjendje jo të mirë ka mbetur tash e disa muaj, ndërtimi i memorialit në vendin ku u vranë mbi 100 burra të fshatit Krushë e Vogël. Në gjysmë punimet kanë mbetur edhe tek varrezat e martirëve në këtë fshat. Kjo sipas përfaqësuesve të kompanisë është si shkak i rritjes së çmimeve.
Nga kompania e cila ka qenë duke punuar këto varreza, ka thënë se çmimet e produkteve që janë paraparë të përdoren, janë rritur për 60 për qind dhe se kjo ka qenë e papërballueshme nga ta.
Bajram Zulfiu, i cili i mbijetoi masakrës së 26 marsit të vitit 1999, thotë se ndihet keq kur sheh gjendjen e këtij vendi, që sipas tij meriton të trajtohet më mirë.
“Po më vika shumë diçka rond për mua, sepse këtu edhe unë kam qenë vetë… Po punohet shkel e shko në këtë vend, këtë vend nuk vijojnë me pa edhe institucionet e Komunës së Prizrenit, e këqyrin vetën e interesat e veta, kurse banorët e fshatit tonë nuk i këqyrë askush”.
Ai shton se institucionet nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ruajtur dëshmitë e krimeve që kanë ndodhur nga serbët.
“Institucionet është dashur më herët, se tash afër 24 vite po bëhen këta kanë vyjtë më herët me reagu dhe me punu, e me përfundu, sikur e dini edhe ju pak këtu është mbetë problemi që jo kjo parti, kjo parti ka ngec deri në këtë moment”.
Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Edin Shehu, thotë se dy kompanitë që kanë qenë duke punuar në këtë fshat kanë kërkuar ndërprerje të kontratës, dhe se janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje.
“Tani së bashku me zyrën e prokurimit jemi duke i shqyrtuar mundësitë e anulimit të asaj kontrate dhe menjëherë ta bëjmë një kontratë të re e punët të vazhdojnë ashtu siç janë paraparë”, deklaron Shehu.
Kontrata për rregullimin e varrezave të 113 martirëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, ka qenë rreth 182 mijë euro.
Ndërsa, sipas kompanisë fituese, asaj deri tani i janë paguar 150 mijë euro, që sipas tyre është vlera e punimeve që janë kryer.