Dy gjigantët spanjollë Real Madrid e Barcelona, Bayern Munich, Paris Saint-Germain dhe gjashtë ekipe të Premier League janë 10 klubet me të ardhurat më të larta gjatë sezonit të kaluar.
Sipas raportit të përvitshëm të Deloitte’s Football Money League, këto skuadra kanë arkëtuar 12,4 miliardë euro së bashku, ose 11% më shumë se një sezon më parë.
Real Madrid është i vetmi që ka kaluar kufirin e 1 miliardëshit, ndërsa Barcelona i është afruar me 975 milionë euro.
Rreth 70 milionë euro erdhën vetëm nga shitja e suvenireve nga stadiumi i vjetër Camp Nou. Të ardhurat nga aktivitetet tregtare përbëjnë 43% të shumës për këto ekipe, ose 5,3 miliardë euro.
Në dhjetëshen e parë, vetëm Manchester City ka më pak të ardhura se një sezon më parë, por kjo shumë është e papërfillshme, pasi përkon me 1%.
Burimi: botasot.info


