Ish-ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj ka kërkuar nga Perëndimi që sa më parë të pranojë anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, pasi vetëm në këtë mënyrë do të shmangej rreziku i ndikimit rus për përplasje të reja në Ballkan.
Ajo në një postim në Facebook ka publikuar pamje të mercenarit serb Bratislav Zhivkoviq në përballje me KFOR-in më 2012, duke thënë se i njëjti është vrarë së fundi duke luftuar në anën e rusëve në Ukrainë, gjë e cila dëshmon për aleancën Serbi-Rusi kundër Kosovës.
“Siguria e Kosovës në kufirin verior me Serbinë varet shumë nga Federata Ruse, përmes të ashtuquajturës Zyrë ndërlidhëse në Prishtinë dhe përfaqësuesve të saj që punojnë në disa organizata ndërkombëtare në Kosovë.
Sipas kanaleve ruse të Telegramit, mercenari serb Bratislav Zhivkoviq, i cili ishte i pranishëm në barrikadat e dhunshme 2012 në veri të Kosovës sipas videos/fotove të bashkangjitura, ku shihet duke u përballur me ushtarët e KFOR-it, vritet duke luftuar përkrah rusëve kundër Ukrainës në Kursk.
Perëndimi duhet ta ndihmojë Kosovën të çlirohet nga hijet e Federatës Ruse, duke përshpejtuar anëtarësimin e saj në NATO sa më shpejt se sa vonë.”
Asambleja Parlamentare e NATO-s vendosi vitin e kaluar në Sofje të Bullgarisë për avancimin e statusit të Kosovës nga vend vëzhgues në vend anëtar të asociuar të kësaj organizate, me gjithë kundërshtimin e Serbisë.
Asambleja Parlamentare është e ndarë nga aspekti nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta, por nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë.
Burimi: botasot.info