Deponia në Nikushtak vazhdon të jetë e hapur për hedhjen dhe djegien e mbeturinave, edhe pse përreth rrugës është vendosur gardh prej llamarine. Rrethoja është vendosur por është lënë një hapësirë e vogël, sa për të hyrë kamioni i komunës së Likovës, për të derdhur mbeturinat që mbledhë nga të gjitha fshatërat. Ndonëse komuna e Likovës disa herë ka kërkuar dislokimin e kësaj deponie, kjo nuk u është lejuar nga Ministria e Ambientit Jetësor. E për të vendosur pak rend, kryetari i komunës së Likovës thotë se kanë angazhuar një person i cili do të qëndrojë gjatë ditës si kujdestar. Paralajmëron edhe vendosjen e kamerave.
“Dhe vendosëm rrethojën përreth rrugës regjionale. Vendosëm një person i cili do të qëndrojë si kujdestar gjatë ditës. Kemi edhe disa njerëz të papërgjegjshëm të cilët nga veturat hudhin mbeturina të ndryshme dhe pastaj shkaktojnë dëme të ndryshme dhe kamera të sigurisë të cilat 24 orë.
Kamerat janë vendosur?
Jo kamerat ende nuk janë vendosur, por që do të kujdesen për sigurinë sa më të madhe…”, tha kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Arifi shton se zgjidhja më e mirë është që të ndërtohet fabrika për reciklim në Kriva Pallankë, projekt që është nisur që në vitin 2018.
“Ideja që ishte në vitin 2018 sa do të mund të realizohet është tjetër punë. Në nivel të regjionit të bëhet zgjidhje adekuate, të ndërtohen fabrika për reciklim dhe ky vend të shërben vetëm si trafostacion dhe besoj që ajo është zgjidhje e përhershme”, shtoi Erkan Arifi – kryetar i Komunës së Likovës.
E për atë se deri ku është procedura për fillimin e ndërtimit të kësaj fabrike, pyetëm ministrin e ambientit jetësor, Izet Mexhitin. Për fabrikën nuk na tregoi, por njoftoi se bashkë me deponinë në Nikushtak, edhe pesë lokacione tjera të Likovës do të shndërrohen në zona të gjelbërta.
“Ditëve në vijim, jo vetëm në Nikushtak por edhe në katër, pesë lokacione tjera në kuadër të komunës së Likovës, Ministria e Ekologjisë do i pastron deponitë dhe ato zona do i shndërrojmë në zona të gjelbërta”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Për mirëmbajtjen e ambientit jetësor, brenda ministrisë ekziston edhe Inspektorati Ekologjik, i cili ka për detyrë të zbulon dhe shqiptojë gjoba për persona fizik dhe juridik, të cilët ndotin ambientin. Megjithatë, siç tha drejtoresha e re e Inspektoratit, Ivana Ginovska, Inspektorati ka mungesë kuadri.
“Në Inspektorat kemi mungesë të kuadrit dhe mosha mesatare e inspektorëve janë në moshë të shtyer. Kemi një pensionim tani më 10 tetor, pastaj një pensionim tjetër më 18 mars vitin e ardhshëm. Kemi plan të miratuar nga Ministria e Administratës për punësimin e tre inspektorëve të rinjë. Shpresojmë se do të marrim pëlqim finansiar nga Ministria e Financave që të mund të punësojmë tre inspektorë. Gjithashtu edhe për vitin e ardhshëm 2025 kemi planifikuar edhe nëntë punësime të reja”, u shpreh Ivana Ginovska – Drejtoreshë e Inspektoratit Ekologjik.
Përndryshe përshkak djegies së mbeturinave në deponinë në Nikushtak, para pak muajsh ndodhi që përshkak tymit të madh, dy vetura të përplasen mes vete. Kjo deponi shërben për hudhjen e mbeturinave nga amvisëritë e komunës së Likovës, detyrë që e kryen ndërmarja komunale “Pisha” në Likovë.
Burimi: tv21