Është rrënuar një shtëpi në Prizren e cila ishte shkak i bllokimit të rrugës magjistrale në Prizren e cila e lidh këtë qytet me Prishtinë dhe Gjakovë, raporton teve1.info
Rrënimin e shtëpisë në lagjen Dardania në Prizren e ka bërë të ditur vet kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, përmes një postimi në Facebook.
Ai ka thënë se rrënimi u bë në bashkëpunim me familjen dhe pronarët derisa ka shtuar se ky segment rrugor do ta bëjë edhe shkarkimin e trafikut në Prizren.
“Në bashkëpunim me familjen dhe pronarët, sot u rrënua shtëpia në rrugën e re transitore që lidh magjistralen për në Prishtinë dhe Gjakovë, nga hyrja e lagjes “Dardania” për në “Arbanë”.
Ky segment rrugor do ta bëjë shkarkimin e trafikut në Prizren dhe do të shërbej për qasje më të lehtë e më të shpejtë të banorëve të kësaj zone në qytet”, ka shkruar Totaj në Facebook.
Kjo rrugë kishte filluar të ndërtohet në vitin 2015, por për shkak se një shtëpi banimi në pjesën tek hyrje-dalja e Arbanës, rruga nuk kishte përfunduar asnjëherë.