Me investim të Komunës së Vushtrrisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZhR), të mërkurën janë përuruar punimet përgjatë lumit Sitnica, në Vushtrri.
Vlera e këtij projekti është 180 mijë euro ndërsa gjatësia është afër katër kilometra. Punimet i vizituan kreu i komunës, Ferit Idrizi dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.
I pari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se krahas këtij projekti, është menduar edhe ndërtimi i parkut kryesor në këtë qytet.
Ai ka sqaruar se Ministria ka ndarë 120 miëj euro ndërsa komuna 45 mijë euro.
“Po fillon këtu projekti i shëtitores përgjatë lumit Sitnica, me gjatësi 3 kilometra e që është një projekt i përbashkët me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. MZhR-ja ka participuar me pjesën më të madhe me 120 mijë euro ndërsa ne me afër 45 mijë euro, dhe kjo shëtitore do të jetë në shfrytëzim të qytetarëve”.
“Biseduam me ministrin që ta hartojmë edhe një projekt që të bëhet parku kryesor i qytetit që është një sipërfaqe me mbi 4 hektarë e që në vitet në vijim mendojmë ta realizojmë”, tha Idrizi.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, tha se dikasteri që ai e drejton do të bashkëfinancojë edhe një projekt tjetër në këtë komunë.
“Qeveria e Kosovës vazhdon të mbështesë projekte të cilat janë të kategorisë së investimeve kapitale. Ne si Ministri në këtë projekt participojmë me 120 mijë euro”.
“Është një projekt që banorët e Vushtrrisë do të bëjnë aktivitete, ndërsa do të jetë edhe një projekt i ndërlidhur me këtë”, tha Damka.
Nga punëkryesi, Idrizi e Damka morën premtime se projekti do të përfundojë brenda 90 ditëve.