Lidhur me rastin e pas mesnatës së 14 nëntorit, kur në lagjen “Orta Bunar” në pjesën qendrore të Kumanovës, dy të rinj u sulmuan nga më shumë persona të maskuar e të organizuar, Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë ndërmori hapa konkretë duke privuar nga liria 9 prej pjesëmarrësve të këtij grupi që sulmuan të rinjtë shqiptarë. Bëhet fjalë për persona të moshës nga 18 deri 23 vjeç.
“Më datën 15.11.2022 në Kumanovë, nëpunës policorë të SPB Kumanovë i kanë privuar nga liria R. I. (18), F. A. (19), A. D.(20), K. G. (18), A. T. (18), A. V. (18), A. S. (20), A. B. (23) dhe l. S. (19), të gjithë nga Kumanova dhe nga rrethina e Kumanovës. Në bisedë zyrtare janë ftuar edhe tre persona të mitur nga Kumanova. Ata dyshohet se më datën 14.11.2022 në rrugën “Karl Marks” në Kumanovë me mjete të forta ia kanë dëmtuar automjetin e B. SH. (20) nga Kumanova, pas së cilës ai në përpjekje për të ikur ka shkaktuar aksident trafiku, duke goditur në automjet të parkuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit kundër të gjithë personave të involvuar do të parashtrohen kallëzime përkatëse.”,– thuhet në kumtesën e MPB-së.
Pas ndërmarrjes së masave është konstatuar se bëhet fjalë për mosmarrëveshje pa asnjë element ndëretnik, thonë nga SPB. Nga atje u bëjnë apel mediave për informim profesional dhe të saktë pa spekulime rreth arsyeve për incidentin.