RMV: Bie interesimi i nxënësve për të studiuar Shkencat Matematiko-Natyrore

min lexim

Prishja e imazhit të mësuesisë, pagat e ulëta dhe degradimi i këtij profesioni janë shkaktarët kryesor që studentët e rinj braktisin mësimdhënien, posaçërisht në Shkencat Matematiko- Natyrore, vlerësojnë mësuesit.

Gani Ameti, mësimdhënës i gjeografisë tha se punët administrative që bëjnë mësuesit humbin vullnetin për të punuar këtë profesion ndërkohë shumë prej studentëve shfrytëzojnë statusin e tyre për të marrë vizë pune për të punuar jashtë vendit.

“Edhe ky numër që ekziston ndoshta nuk do të ishte fare po mos të ishin dhe këto interesat e studentëve, të të rinjve për të shkuar jashtë. Unë po e shoh shumë nxënës kemi të këtillë të cilët me të vërtet e synojnë këtë. Unë mendoj se duhet pak më tepër ti jepet një stimul mësimdhënësve, punët administrative të zvogëlohen pak sepse më shumë merremi me administratë se sa me mësimdhënien, kjo na vështirëson punën. Pastaj, mendoj se duhet të hapen klasë të tjera për shkak se kemi mjaft nxënës nëpër shkolla ku arrin numri 30, diku 34 në disa raste që e bën edhe më të vështirë punën tone”, tha Gani Ameti, mësimdhënës i gjeografisë.

Përveç gjeografisë, mungesë e madhe e kuadrit vërehet edhe në lëndën e matematikës.

Mësuesi Xhelal Ramadani tha se mosinteresimi i nxënësve shqiptarë ka të bëj me mungesën e studimeve në gjuhën shqipe në Shkencat Matematiko Natyrore në Shkup.

“Ajo mund të jetë arsyeja e parë që studentët nuk shkojnë. Edhe një arsye që unë e konsideroj se është tash, programi mësimor është ndërruar tashmë sa vite dhe mësohet me programin e Kembrixhit. Programi i Kembrixhit mësohet veç në fillore, kur shkojnë në shkollë të mesme ju ndërrohet programi dhe habiten nxënësit, është diçka tjetër, se kanë të njohur edhe kështu që ju duket pak më vështirë edhe prej aty ndalen dhe thonë se matematikë kurrë nuk kanë të studiojnë. Mundet me qenë edhe një arsye tjetër se arsimtarët e matematikës gjithmonë janë të angazhuar edhe me punë shtesë në shkollë”, shtoi Xhelal Ramadani, mësimdhënës i matematikës.

Interesimin e dobët për Shkencat Matematiko Natyrore e konfirmon edhe dekani i këtij fakulteti, Aleksandar Skeparovski.

Sipas tij gjendja më kritike paraqitet në programet studimore për mësimdhënie për arsimin fillor dhe të mesëm.

“Ky është profesion fisnik që për fat të keq tashmë kemi pushuar së përjetuari në një mënyrë të tillë. Besoj se kjo është një nga arsyet, ndoshta edhe më e fortë se ana materiale e profesionit, mundësia që të sjellë të ardhura, mendoj se statusi i mësuesit në këtë shoqëri është në një nivel jashtëzakonisht të ulët dhe se kjo i pengon studentët e ardhshëm nga interesimi për këtë profesion”, deklaroi Aleksandar Skeparovski, dekan i FSHMN-së.

Në vitin e ri akademik 2022-23 shumë drejtime mbetën pa studentë ose me numër të vogël studentësh.

Në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore këtë vit u regjistruan 293 studentë, numri më i madh i të cilëve në Institutin e Biologjisë.

Në Institutin e Matematikës 22 studentë, në Institutin e Fizikës 11,në Institutin e kimisë 65, në Institutin e Gjeografisë 31 ndërsa në Institutin e Etnologjisë dhe Antropologjisë vetëm 6 studentë.

Story i mëparshëm

Gjermania, thirrje BE-së për sanksione ndaj Iranit

Story i radhës

Xhaka me Arsenalin shokojnë Liverpoolin

Të fundit nga