Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka përfaqësuar Kosovën në Forumin e Energjisë së Evropës Juglindore (SEEF 2024) në Selanik të Greqisë.
Në forum kanë marrë pjesë ministra të vendeve të rajonit dhe përfaqësues nga Departamenti i Energjisë të SHBA-së, ku janë diskutuar tema të ndryshme për të ardhmen e energjisë në rajon, përballja me krizat energjetike, orientimin drejt energjisë së gjelbër dhe burimeve tjera energjetike të ripërtërira.
Rizvanolli ka qenë pjesë e panelit ministror “Bashkëpunimi energjetik në Evropën Juglindore dhe rajoni i Mesdheut Lindor: Një kthim për sigurinë e energjisë në BE”, ku së bashku me homologët nga Greqia Theodore Skylakakis, Sanja Bozhinovska Maqedoni e Veriut, Vladimir Malinov Bullgari dhe atë rumun Sebastian Burduja, kanë diskutuar mbi bashkëpunimin energjetik në rajon.
Me këtë rast mes tjerash, ministrja Rizvanolli ka theksuar se lëndët e para si litiumi, nuk mund të sigurohen duke forcuar regjime autokratike me tendenca për destabilizimin e rajonit. Ajo ka vlerësuar se bashkëpunimi me partnerë me të cilët i ndajmë vlerat është tejet i rëndësishëm për sigurinë e energjisë të rajonit.