Prej disa javësh, kursi për trajnerët e licencës UEFA C, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur në qytetin e Tiranës.
Për herë të parë, Sektori i Edukimit në FSHF do të organizojë kursin për t’u pajisur me licencën ‘UEFA C’ edhe në qytetin e Fierit, një kurs dedikuar të gjithë të apasionuarve pas futbollit që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij sporti dhe të kualifikohen me një licencë fillestare siç është ajo e ‘UEFA C’.
Duke parë kërkesat e larta të qytetarëve nga jugu i vendit, të cilët duan të angazhohen në lojën e futbollit, FSHF do të organizojë për herë të parë kursin për licencën ‘UEFA C’ në zonën e Fierit, teksa më parë ka organizuar edhe kurse të nivelit ‘UEFA B’.
Një risi nga institucioni i futbollit në vend, ku sipas direktivave të UEFA-s, “licenca” duhet të shkojë te trajneri, për të pasur një shpërndarje të këtij kursi në të gjithë vendin dhe për të përmirësuar dhe për të rritur cilësinë e trajnerëve.
Në këtë edicion të parë të organizimit të kursit në Fier, pjesëmarrja maksimale do të jetë 35 persona, teksa kursi do të jetë i ndarë në tre blloqe leksionesh, duke filluar nga 13 marsi për t’u përmbyllur më 24 maj.