Shkup, 26 Nëntor – Riorganizimi i administratës publike do t’i dërgojë në shtëpi shumë drejtorë ndërsa një pjesë të madhe të anëtarë të këshillave drejtues të drejtorive dhe agjencive, do t’i bëje administratorë të thjeshtë. Alsat mëson se nga analiza e realizuar për këtë qëllim, asnjë ministri nuk ka rezultuar e panevojshme ndërsa shumë drejtori dhe agjenci do të transferohen në ministri përkatëse.
Për shembull, Rrjeti i Kërkimeve Akademike MARNET do të shuhet dhe do të bëhet sektor i veçantë nën Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Aktualisht, ky institucion ka drejtorë, këshill drejtues dhe të punësuar.
Edhe Këshilli Inspektues do të shuhet. Aktualisht, ky institucion ka kryetar, sekretar të përgjithshëm dhe 10 udhëheqës të sektorëve të ndryshme, të gjithë këta, nga viti 2024 parashihet të jenë administratorë në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratë.
Drejtoria e Librit Amë aktualisht është nën Ministrinë e Drejtësisë, ekspertët kanë rekomanduar që e njëjta të shkrihet në Agjencinë për Digjitalizim. Edhe udhëheqësit e këtij institucioni do të ngelen pa postet e tyre.
Mësojmë se Artan Grubi është i interesuar që nën ministrinë me të cilën ai udhëheq, të merr një Njësit për Bashkëpunim me Organizatat Joqeveritare e cila aktualisht është nën Sekretariatin e Përgjithshëm si dhe Agjencinë për Rini dhe Sport. Nga ana tjetër, edhe pse disa drejtori kanë rezultuar si të panevojshme, një pjesë e madhe e drejtorëve ushtrojnë presion që ata të mos shuhen në mënyrë që të mos i humbin pozicionet e tyre.
Edhe pse çdo vit pjesa më e madhe e buxhetit të shtetit shkon për paga për administratën publike, ministri i Administratës, Admirim Aliti tha se riorganizimi nuk do të largojë nga puna asnjë administrator. Me këtë, nuk pajtohet eksperti Borce Davitkovski
“Kur bëhet reformë në sektorin publik, riorganizim, duhet që fillimisht të bëhet strategji serioze dhe të përfshihen të gjithë sektorët. Kështu si u lajmërua nga ministri, që do fillojë me tre ministri si pilot, kjo nuk përbën zgjidhje, e dyta, 0:34 nuk është reformë në qoftë se bashkohen dy organe, dhe drejtori dhe udhëheqja e njërit organ të shkojnë në shtëpi kushtimisht thënë, ndërsa 200 mijë të punësuar, ngjitës të postereve, të ngelin në punë”, tha Borce Davitkovski, ekspert i Administratës Publike.
Sipas Davitkovskit, bashkë me ndërmarrjet publike dhe shoqatat aksionare në pronësi të shtetit, 1 e 4 e buxhetit shtetërorë çdo vit shkon për 200 mijë të punësuar. Ai nuk është optimist se mund të ketë reforma pozitive pa u ndërmarrë hapa të guximshëm, siç është, largimi i të punësuarve të panevojshëm nga puna dhe vendosja e sistemit të meritokracisë, e cila do të pamundësojë punësimet partiake. Nga janari i vitit 2024 ky proces duhet të merr formë. Aktualisht zbatohet si pilot projekt në tre ministri.
Burimi: zhurnal.mk