​Rikthimi në Superligë dhe objektivat e mëdha të Ferizajt

min lexim

Pas vetëm një sezoni në Ligën e Parë, Ferizaj është rikthyer në elitën e futbollit kosovar, në Superligë, aty ku tani futet me synime të mëdha nën drejtimin e trajnerit, Arsim Abazi.

Duke folur për KosovaPress, Abazi ka thënë se Ferizaj nuk e kishte merituar rënien në Ligën e Parë sepse kualitete e kësaj skuadre janë shumë të mëdha.

Abazi: Ferizaj është për Superligë, jo për Ligën e Parë

“Ne kemi filluar të përgatitemi sepse e dimë tani që Superliga na pret me ndeshje shumë të forta dhe do të përgatitemi maksimalisht për ato ndeshje. Jemi të kompletuar me ekipin, kemi 26 lojtarë në stërvitje dhe po përgatitemi maksimalisht që të jemi sa më të gatshëm për kampionatin…Ne nuk e kemi merituar vitin e kaluar rënien nga Superliga, kemi qenë një ndër ekipet më të mira që kemi bërë lojë dhe rezultate shumë të mira, sidomos në gjysmësezonin e dytë…Nuk është Ferizaj për të garuar në Ligën e Parë dhe jemi mobilizuar maksimalisht që sa më shpejtë të kthehemi dhe shumë shpejtë jemi rikthyer”, tha Abazi.

Ai shton se në sezonin e ri, Ferizaj synon qëndrimin në Superligë.

Abazi: Objektivi kryesor është qëndrimi në Superligë

“Është herët të flasim, të shohim, t’ia fillojmë kampionatit dhe pastaj të shohim se si po shkon, por dihet që objektivi kryesor i Ferizajt është që të jetë në Superligë, pastaj për të tjerat të shohim”, tha Abazi

Për kapitenin e skuadrës, Edon Sadriu, gara në Superligë do të jetë jashtëzakonisht e vështirë.

Sadriu: Na pret sezon shumë i vështirë në Superligë

“Është e vërtetë, Ferizaj është për Superligë, nuk është për Ligën e Parë dhe shpresojmë që të paraqitemi sa më shumë denjësisht në Superligë…Do të jetë me e vështirë sepse çdo ekip ka kualitetet e veta dhe shpresojmë që të paraqitemi sa më mirë dhe ta tregojmë fytyrën e vërtetë të Ferizajt”, theksoi Sadriu.

Ndërsa, njëri nga futbollistët më të mirë të skuadrës, Betim Haxhimusa shprehet i bindur se Ferizaj do të luftojë për kreun e tabelës së Superligës.

Haxhimusa: Ferizaj meriton të jetë në kreun e tabelës

“Fillimet e përgatitjeve janë pak më të vështira, por po mundohemi t’i kalojmë sa më shpejtë, ta fillojmë rrugëtimin tonë në Superligë, mendojmë që do t’ia fillojmë mbarë dhe nuk do të jemi vetëm si mysafir, por të jemi një ekip shumë i mirë në Superligë…Në përgjithësi klubi i Ferizajt ka kushte mjaftë të mira, është ndër klubet më të organizuara të Superligës dhe mendoj që ne e meritojmë të jemi në Superligë dhe në kreun e tabelës”, tha Haaxhimusa.

Ndryshe, edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll do të startojë më datën 10 gusht.

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Meta do t’i japë fund ndalimit të përgjithshëm për fjalën “shaheed” – që në shqip do të thotë “martir”

Story i radhës

Rrjedh në internet kënga e papublikuar e Yllit me Dhuratën, dyshja nis xhirimet

Të fundit nga