Klement Çala, i dënuar nga Gjykata e Posaçme për grabitjen e parave në Rinas, është rifutur në regjimin “41 Bis”. Vendimi erdhi me urdhër të Ministrit të Drejtësisë pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme SPAK.
“Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Drejtësisë nr. 639, datë 17.12.2024, i burgosuri Klement Çala është transferuar në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë.
Masa është marrë pas një vlerësimi të hollësishëm nga autoritetet përgjegjëse, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë të të dënuarit”.
Klement Çala kishte dalë më parë nga “41 Biss” me një vendim gjykate e cila kishte pranuar kërkesën e Çalës dhe kishte shfuqizuar urdhrin e 5 majit 2022 të Ministrit të Drejtësisë.
Po kush është Klement Çala?
Gjykata e Posaçme e Apelit ka konfirmuar në korrik të vitit 2023 shpalljen fajtor të Klement Çalës dhe dënimin e tij për një sërë veprash të rënda penale me 20, 25 dhe 5 vite burgim. Edhe i vëllai Eldi Çala u cilësua i fajshëm nga gjykata dhe u dënua me 17 vjet burgim, dhe të njëjtën masë me nga 17 vjet heqje lirie morën edhe Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkond Bengasi të cilët dyshohen se në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion.
Shtatëshja e grabitësve spektakolarë kishte si bashkëpuntorë edhe Admir Muratajn të vrarë gjatë arratisjes nga grabitja dhe Talo Çelën, i cili është në një gjykim të veçuar teksa prej vitesh kryeson listën e të kërkuarve.
Regjimi kufizon disa të drejta të burgosurit apo paraburgosurit si më poshtë:
Lejohet takimi vetëm me familjarët (paralindurit, të paslindurit, bashkëshortët dhe bashkëjetuesit) dhe takimi do të bëhet në ambjente të përcaktuara. Për të burgosurit jashtë këtij regjimi lejohet takimi dhe me persona të tjerë.
Në rast se i burgosuri nuk kryen takime me familjarët, ka të drejtë të ketë bisedë telefonike deri në 10 minuta një herë në muaj. Për të burgosurit e tjerë lejohet të kenë bisedë telefonike deri në 8 herë në muaj pa një kohëzgjatje të përcaktuar.
Ndalohet përdorimi i sendeve apo parave që i burgosuri mund të marrë nga jashtë.
Reduktimi i qëndrimit në ajrim deri në 2 orë. Të burgosurit e tjerë e kanë të paktën dy orë ose më shumë kohën e ajrimit.
Ndalohen të marrin pjesë në sindikatat apo organe të tjera përfaqësuesish për të burgosurit. Të burgosurit e tjerë kanë të drejtë të organizojnë dhe marrin pjesë në organizata.
Ky regjimi zgjatet deri në 1 vit dhe vendoset nga Ministri i Drejtësisë. I burgosuri mund ta kundërshtojë atë në Gjykatën e Posaçme.
Burimi: botasot.info