Përfaqësuesi i familjes Jashari nga Prekazi, Rifat Jashari është dekoruar sot me Urdhrin e Lirisë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ceremonia e dekorimit të Rifat Jasharit ka ndodhur sot në Kullën e familjes Jashari në Prekaz.
“Edhe një herë, në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, për lirinë e të cilëve kjo familje ka sakrifikuar më të shtrenjtën, edhe jetën, ju ndaj Urdhrin e Lirisë”, ka thënë presidentja në ceremoninë e dekorimit.
Në Kosovë më 5 mars ka nisur shënimi i manifestimit treditor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), teksa krerët shtetërorë nderuan rezistencën e familjes Jashari nga Prekazi.
Krerët shtetërorë nderuan sot lartë pjesëmarrësit dhe të rënët në luftën e fundit dhe Adem Jasharin, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së dhe familjes së tij.
Ata bënë sot homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Po ashtu, në nderim të Epopesë së lavdishme të UÇK-së sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne, ndërsa do të ketë edhe aktivitete të tjera.