Reshjet e shiut të renë gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje. Në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës raportohen për sipërfaqe të mëdha tokë bujqësore nën ujë.
Ndërkohë në Mirditë në zonën e Qafëmollës, është hapur diga, pasi niveli ujit në rezervuar ka arritur ne nivele kritike.
Në bashkinë Kurbin reshjet e shiut me intensitet të lartë dhe rrezikojnë daljen e Drinit nga shtrati. Hidrovoret janë në gatishmëri dhe po punohet me kapacitet të plotë, ndërsa më problematike situata paraqitet gjendja në hidrovorin e Talës, Balldrenit dhe Drojës.
Edhe në Laç uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha toke.
Në Krujë lumi Ishëm ka dalë nga shtrati, në pjesën e fshatit Marqinë. Kjo situatë është e përsëritur në këtë zonë, ndërsa banorët bëjnë apel për ndihmë.
Nga shtrati ka dalë edhe lumi Erzen duke shkaktuar përmbytje, ndërkohë që ka tendencë rritjeje të nivelit të lumenjve Vjosë, Seman dhe Shkumbin.
Në akset rrugore të qarkut të Elbasanit ka pasur rrëshqitje gurësh dhe dherash, të cilat kanë krijuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve.
Edhe në jug të vendit moti i keq ka shkaktuar problematika. Në Vlorë lundrimi është pezulluar për shkak të erës dhe shirave. Ndërkohë nga era e fuqishme janë rrëzuar dhjetëra pemë në Pyllin e Sodës.
Situata në qarkun e Gjirokastrës, është më problematike në lagjen “Granicë” ku përroi ka shtuar prurjet dhe rrezikon banesat.