Shiu i dy ditëve të fundit ka shembur urën në fshatin Berzane të Lezhës, duke lënë të izoluar disa familje. Lëvizja e tyre është vështirësuar dhe tashmë duhet të mendojnë për mënyrën se si duhet të kalojnë përroin. Kjo mund të kryhet vetëm në këmbë duke kaluar përmes ujit.
Akoma më të vështirë do ta ketë Ardian Lleshaj, i cili është paraplegjik. Ai kishte dalë për të kryer shërbimet e nevojshme dhe kur u kthye gjeti urën e shembur.
Lleshaj thotë se kanë nevojë që kjo urë të riparohet sa më shpejt që të ketë mundësi për të lëvizur normalisht.
Përroi i Berzanes shtoi prurjet gjatë mbrëmjes të së premtes si pasojë e reshjeve intensive. Vërshimi i ujërave nxiti gërryerjen e dherave që shkaktuan më pas edhe shembjen e urës. Në bashkinë e Lezhës thonë se rasti është konstatuar prej tyre dhe se po planifikojnë ndërhyrjen.