Rënie gurësh dhe inertesh në Kukës, disa fshatra pa energji elektrike

Qarku i Kukësit prej së hënës në mbrëmje është përfshirë nga moti i keq me reshje dëborë e erë të fortë, ndërsa edhe temperaturat janë ulur ndjeshëm.

Për pasojë ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve për shkak të rënies së reshjeve të dëborës dhe rënies së gurëve.

Komisioni I Mbrojtjes Civile I Prefekturës Kukës, njofton se akset rrugore nacionale sidomos ato Bajram Curr-Valbonë, Kukës-Bushtricë, Kukës -Shishtavec dhe Fushë Dukagjin-Qafë Shllak kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve gjë që përbën rrezik për personat që qarkullojnë.

Nga kontraktorët është punuar për pastrimin borës, inerteve, gurëve  dhe mbajtjen funksionale të rrugëve. Rrugët rurale në administrim të bashkive janë të kalueshme.

Furnizimi me  ujë të pijshëm është normal në shkallë Qarku. Pa energji janë Njësia Administrative Zapod, Shishtavec, Topojan, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë dhe fshatrat Pistë, Mgull dhe Leproj; Njësia Administrative Malzi Bashkia Kukës; Njësia Administrative Margegaj dhe fshati Kam; Njësia Administrative Bytyq Bashkia Tropojë dhe  Njësia Administrative Golaj Bashkia Has.

Po punohet nga grupet e punës  të OSHEE-së për eliminimin e defekteve. Deri në këto momente nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente. Moti i keq me erë dhe reshje dëbore si dhe rrëshqitja e gurëve në rrugë, ka detyruar policinë e Kukësit, të rrisë prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore urbane e rurale, për t’ju ardhur në ndihmë dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve.

Njëkohësisht po bashkëpunohet me pushtetin vendor dhe firmat kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugëve, si dhe me Njësinë Rrugore për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë, për të bërë të mundur rritjen e sigurisë në rrugë dhe pastrimin e rrugës nga dëbora. DVP Kukës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes të madh, të reduktojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

22 mijë vetura të paregjistruara në Prishtinë

Story i radhës

Pendarovski-Saraç: Komuniteti turk kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të qëndrueshme

Të fundit nga