Shëndeti mendor në vendin e punës konsiderohet një aspekt i rëndësishëm i mirëqenies së punëtorëve pasi ndikon direkt në produktivitetin dhe atmosferën e punës.
Në një botë gjithnjë e më dinamike dhe të mbingarkuar me ritme të shpejta pune, rëndësia e ruajtjes së shëndetit mendor është shumë e rëndësishme.
Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se shtypja e emocioneve, mungesa e empatisë dhe mbingarkesa me përgjegjësi, ngarkesat emocionale dhe mendore, që shpesh burojnë nga jeta personale, përzihen me sfidat profesionale, duke ndikuar në performancën, motivimin dhe mirëqenien e individit.
Psikologu Kristian Halilaj thotë, se ruajtja e marrëdhënieve të shëndetshme ndër-njerëzore dhe kujdesi për shëndetin mendor janë thelbësore, pasi mungesa e këtij kujdesi sjell pakënaqësi, rënie të produktivitetit dhe nevojë për pushim nga puna.
Halilaj: Kujdesi i shëndeti mendor na bënë më produktiv dhe më efikas në punë
“Sot jetojmë në një botë shumë dinamike, ku ndjejmë shumë përgjegjësi dhe puna është shumë intensive në mënyrë të vazhdueshme. Dhe raportet ndër-njerëzore nevojiten të mirëmbahen vazhdimisht, të ketë një lloj besnikërie, një lloj sinqeriteti mes marrëdhënieve kolegiale dhe një lloj empatie për situata të ndryshme. Kujdesi i shëndeti mendor na bënë më produktiv dhe më efikas në punë. Shpesh herë mungesa e shëndeti mendor sjell pakënaqësi, mungesë të rezultateve… Për këtë arsye nevojitet një kujdes i mirë i shëndetit mendor, sepse shpesh herë mungesa e kujdesit të shëndetit mendor shkakton afekte të mos marrjes së përgjegjësisë dhe shpesh herë edhe ikje nga puna, dhe marrja e ditëve të pushimit si pasojë e mungesës së shëndetit mendor”, potencoi Halilaj.
Halilaj thekson se njeriu është i ndërlidhur ngushtë me emocionet, ndjenjat dhe mendimet, dhe nëse nuk arrin t’i kontrollojë, kjo çon në mungesa produktiviteti.
Halilaj: Pasojat e mbingarkesës kërkojnë kujdes më të madh në shëndetin mendor
“Ne jemi të ndërthurur mes emocioneve ndjenjave dhe mendimeve, dhe sa herë që nuk arrijmë t’i kontrollojmë emocionet tona dhe t’i orientojmë mendimet tona në lidhje me përgjegjësitë tona, atëherë nuk do të mund të kanalizojmë energjinë tonë në raport me përgjegjësitë… Fatkeqësisht, njeriu ndikohet të merr vendime si rezultat i pasojave që na shkaktohen, sepse shpesh herë ekziston ‘djegia’ profesionale, njerëzit e humbin sensin dhe kuptimin e punës ose marrin shumë përgjegjësi dhe mbingarkohen me përgjegjësi, dhe nuk mund të marrin përgjegjësi, pra heqin dorë tërësisht nga puna dhe si pasojë e ‘djegies’ profesionale që ka ndodhur viteve të fundit, njerëzit janë detyruar të kenë kujdes më të madh të shëndetit mendor”, tha Halilaj.
Ndërsa një aspekt tjetër me rëndësi për shëndetin mendor, psikologu Yll Avdijaj thekson limitet dhe kufijtë personal që individi duhet t’ia vendosë vetes sidomos në raport me familjen dhe profesionin.
Avdijaj: Mënyrën se si ndihemi në jetën e përditshme ne kemi tendencë me bart edhe në punën që ne e bëjmë çdo ditë
“Ne, si qenie njerëzore, zakonisht mënyrën se si ndihemi në jetën e përditshme kemi tendencë ta bartim në punën që bëjmë. Shpesh herë pasiguritë, shqetësimet qofshin familjare apo personale, kemi tendencë t’i bartim edhe në punë. Shpesh herë ngarkesat e punës, problemet që ne bartim, sikur e bëjnë një lloj ngarkese edhe më të tepruar se sa vetë puna. Sa i përket aspektit të dytë, për shembull, në punë është me rëndësi t’i njohim limitet që kanë të bëjnë me punën që ne shpesh herë në jetën e përditshme ose nuk i njohim ose ndoshta nuk i respektojmë aq sa duhet deri në atë pikë sa që ne e gjejmë vetën të ngarkuar, e që shpesh herë ndodhë që dikë prej njerëzve ta dërgojmë deri te konsumimi ose djegia, e cila pa mundëson veprimin normal në punë. Është me rëndësi t’i njihen këta kufij dhe të respektohen, pasi kanë të bëjnë me aspektin profesional”, potencoi Avdijaj.
Avdijaj thotë se produktiviteti në punë varet nga ambienti, kolegët dhe natyra e punës, por edhe dëshira.
Avdijaj: Është kusht ta duam punën që të ketë produktivitet
“Te produktiviteti në punë varet shumë edhe ambienti, varet shumë njerëzit me të cilët punojmë, varet shumë edhe natyra e punës që bëjmë. Është me rëndësi të dihet që ne si punonjës në vendin e punës, ku ne jemi, të dimë se puna që po e bëjmë a është puna që na pëlqen neve ose a është ajo punë që ne e dëshirojmë. Sepse, fillimisht nëse ne kemi pengesa ose kemi probleme në këtë pikë, atëherë normalisht që çdo send tjetër do të shkojë vetëm negativisht, sepse do të jetë shumë e vështirë të tregohemi produktivë në një punë që ne fillimisht nuk e duam ose ndoshta e bëjmë për ‘iks’ arsye, qoftë për përfitim financiar ose diçka tjetër. Është kusht ta duam punën, të cilën ne e bëjmë fillimisht, në mënyrë që të ketë produktivitet dhe motiv për të vepruar ose realizuar atë punë”, tha ai.
Ndryshe, OBSH thotë se shëndeti mendor është një gjendje e mirëqenies mendore që u mundëson njerëzve të përballen me streset e jetës, të realizojnë aftësitë e tyre, të mësojnë mirë dhe të punojnë mirë dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre.
Në çdo kohë, një grup i ndryshëm faktorësh individualë, familjarë, komuniteti dhe strukturorë mund të kombinohen për të mbrojtur ose dëmtuar shëndetin mendor.
Megjithëse shumica e njerëzve janë elastikë, njerëzit që janë të ekspozuar ndaj rrethanave të pafavorshme – duke përfshirë varfërinë, dhunën, paaftësinë dhe pabarazinë – janë në rrezik më të lartë për të zhvilluar një gjendje të shëndetit mendor, paralajmëron OBSH.
Shumë kushte të shëndetit mendor mund të trajtohen në mënyrë efektive me kosto relativisht të ulët, megjithatë sistemet shëndetësore mbeten në mënyrë të konsiderueshme të pamjaftueshme dhe boshllëqet e trajtimit janë të gjera në të gjithë botën.
Kujdesi për shëndetin mendor shpesh është i dobët në cilësi kur ofrohet. Njerëzit me probleme të shëndetit mendor shpesh përjetojnë gjithashtu stigmë, diskriminim dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Burimi: botasot.info