REL: Kosova në fushatë për të mbrojtur njohjet

January 17, 2023
min lexim

Diplomatët kosovarë kanë intensifikuar takimet me homologët e tyre që vijnë nga shtetet që Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Në fillim të janarit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendoi se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se janë në pritje të një shteti të dhjetë, pa specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.

Sipas tij, Kosovën e kanë çnjohur: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.

Më 16 janar, ministri i Jashtëm i Togos, deklaroi në Beograd se shteti i tij ka tërhequr njohjen e Kosovës. Është e paqartë nëse Vuçiq ka aluduar në Togon si shteti i dhjetë, në pretendimin e tij për çnjohjen e Kosovës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se çnjohja e Kosovës nga Togos “ka ndodhur në vitin 2019”.

“Kosova do ta fitojë betejën e saj sot, ashtu siç e ka fituar në 1999. Me mençuri, trimëri, guxim, sakrificë e përplot miq e aleatë anembanë botës së lirë dhe demokratike. Dhe Serbia përsëri do të humbasë, siç ka humbur 1999, sepse e vërteta gjithmonë fiton mbi gënjeshtrën”, ka shkruar ajo në Facebook.

Përveç Togos, MPJD ka hedhur poshtë këto pretendime të Serbisë përmes një reagimi zyrtar. Zyrtarët kosovarë po ashtu kanë bërë publike takimet e tyre me përfaqësuesit e disa prej shteteve, që gjenden në listën e prezantuar nga Vuçiqi, si pjesë e përpjekjeve për të hedhur poshtë pretendimet e liderit serbë.

Me cilat shtete u takuan ambasadorët kosovarë?

Gjashtë ditë pas deklaratës së Vuçiqit, më 10 janar, ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, u takua me homologun e tij somalez, Jama Abdullahi Mohamed.

Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Ankara, dy diplomatët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit mes shteteve.

Por këtë takim, pala somaleze ka zgjedhur që të mos e paraqes në llogaritë në rrjetet sociale e as në ueb-faqen e Ambasadës së saj në Turqi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës thuhet se Somalia e ka njohur Kosovën më 19 maj 2010.

Më 11 janar, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, njoftoi për takimin me ambasadoren e Libisë në Belgjikë, Amel Jerary.

Bajrami ka shkruar në Twitter se me Jeraryn kanë pasur një “diskutim të mirë dhe mirëkuptues” dhe se kanë këmbyer pikëpamje për situatën në dy shtetet respektive dhe për rëndësinë e “stabilitetit, demokracisë për paqe si në Ballkanin Perëndimor dhe në Libi”.

“U pajtuam që të thellojmë raportet Kosovë-Libi”, ka shkruar Bajrami.

Megjithatë, takimin me Bajramin, Jerary nuk ka zgjedhur ta bëjë publike në llogarinë e saj në Twitter.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Libia e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 25 shtator të vitit 2013.

Po të njëjtën ditë, ambasadori i Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, publikoi në Twitter lajmin se të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Gabonit në Kanada, Engone Rosine Epouse Oliveira.

Pavarësisht se Vuçiq pretendoi se Gaboni ka tërhequr njohjen e Kosovës, Kryeziu tha se me homologen e tij diskutoi për “raportet aktuale dypalëshe dhe për bashkëpunimin në të ardhmen”.

Gaboni, shtet në Afrikën Qendrore, njohu pavarësinë e Kosovës më 15 shtator 2011. Ambasada e këtij shteti në Kanada nuk ka pasqyruar takimin e të ngarkuarës së tyre me punë në këtë institucion me ambasadorin Kryeziu.

Ndërkaq, me përfaqësuesen e përhershme në Kombeve të Bashkuara, të Maldives, u takua kreu i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Blerim Reka.

Reka shkroi në Twitter më 12 janar se me ambasadoren e Maldives, Thimeeza Hussain, ka rikonfirmuar “raportet e shkëlqyera dypalëshe”.

Për dallim nga Hussain, që nuk postoi asgjë për këtë takim me Rekën, e as misioni i Maldives në OKB, Ambasada e këtij shteti në Japoni bëri të kundërtën.

Më 13 janar u njoftua se Ambasadën e Maldives në Japoni e kishte vizituar ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.

“Biseduam për mënyrat se si të forcojnë lidhjet dypalëshe dhe shumëpalëshe dhe të forcojmë fushat e bashkëpunimit midis Maldives dhe Kosovës”, u tha në postim, që u shoqërua me një foto të takimit.

Maldive, shtet në Oqeanin Indian, njohu pavarësinë e Kosovës një vit e dy ditë pas shpalljes, përkatësisht më 19 shkurt 2009.

Diplomatët e Kosovës janë takuar edhe me përfaqësuesit e një shteti tjetër, që Serbia pretendon se ka tërhequr njohjen e Kosovës. Bëhet fjalë për Esvatinin – i njohur më herët me emrin Svaziland – shtet që gjendet në kontinentin afrikan.

Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, e vizitoi ambasadën e tij këtij shteti në Londër më 12 janar.

“Ishte kënaqësi të diskutonim për ngjarjet botërore dhe ne mirëpresim forcimin e raporteve midis Kosovës dhe Esvatinit, duke eksploruar mundësitë ekonomike”, shkroi Kapiti pas takimit me komisionarin e lartë të këtij shteti në Londër, Thandazile P.Mbuyisa.

Përveç këtyre takimeve të bëra publike, MPJD më 5 janar deklaroi se pretendimet e Vuçiqit për tërheqjen e njohjeve nuk qëndrojnë dhe nuk janë vërtetuar, as nga takimet me përfaqësuesit e shteteve në fjalë, “por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë”.

“Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjellë”, u tha në reagimin e MPJD-së.

Fushata e Serbisë për çnjohje

Që kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, Serbia e ka kundërshtuar atë dhe ka tentuar që të bindë shtetet që të mos e njohin Kosovën, ose të tërheqin njohjen.

Pavarësisht se Serbia shpesh ka njoftuar për tërheqjen e njohjes, ekspertët kanë thënë se sipas normave ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare nuk mund të tërhiqen njohjet.

Serbia ka nisur fushatën për çnjohje që nga viti 2017. Ndërkaq, që nga pavarësia, tenton të bllokojë Kosovën që të anëtarësohet në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.

Më herët, Serbia kishte pretenduar se Kosovën e kishin çnjohur këto shtete: Sao Tome dhe Principe, Surinami, Guinea Bisao, Burundi, Liberia, Papua Guineja e Re, Lesoto, Komonuelthi i Dominikës, Grenada, Unioni i Komoreve, Ishujt Solomon, Madagaskari, Palau, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone dhe Nauru.

MPJ e Serbisë ka pretenduar se Surinami ka qenë vendi i parë që ka tërhequr njohjen e Kosovës në fund të tetorit të vitit 2017. Burundi, sipas Beogradit, ka njoftuar institucionet e Serbisë në shkurt të vitit 2018, pasuar nga Lesoto, Republika Domenikane dhe Grenada në tetor të po atij viti. Ndërkaq, në janar të vitit 2019, Serbia pretendoi se edhe Palau ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Qeveria e Serbisë po ashtu më herët kishte njoftuar se ka hequr vizat për qytetarët e këtyre shteteve pas tërheqjes së njohjes së Kosovës. Radio Evropa e Lirë kishte raportuar më 2019, se përveç Serbisë, edhe aleatja e saj Rusia, kishte hequr vizat për qytetarët e këtyre shteteve.

Serbia është varur shumë në ndihmën e Rusisë, kur bëhet fjalë për pengimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata dhe mekanizma të ndryshëm ndërkombëtar.
Rusia – një prej pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – së bashku me Kinën, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin Serbinë.

Marrëveshja e Uashingtonit

Më 2020, në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje për normalizim ekonomik, por që përfshinte shumë fusha, përfshirë atë të diplomacisë.

Sipas marrëveshjes, Serbia u pajtua për një moratorium njëvjeçar në ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës, ndërkaq Kosova u pajtua që brenda kësaj periudhe të mos aplikonte për anëtarësim në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.

Pavarësisht se ka skaduar ky moratorium, SHBA-ja u ka bërë thirrje palëve që të vazhdojnë ta respektojnë të njëjtin.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Kosova përfitoi edhe një njohje, atë nga Izraeli.

Që nga 1 shkurti i vitit 2021 – kur Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhëniet diplomatike – Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet tjetër. Dhe pavarësisht pretendimeve të Serbisë, autoritetet në Kosovë nuk kanë ndryshuar numrin e njohjeve, duke thënë se janë 117 shtete që e njohin pavarësinë e saj.

Teksa Serbia vazhdon të pretendojë se shtete të ndryshme po tërheqin njohjet për të, Prishtina dhe Beogradi, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillojnë dialog, me qëllim të normalizimit të plotë të raporteve.

Kosova kërkon që dialogu – që mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara – të përfundojë me një marrëveshje që do të kishte në qendër njohjen e ndërsjellë. Serbia ndërkaq, e ka cilësuar si “vijë të kuqe” njohjen e Kosovës dhe kërkon që dialogu të përfundojë me një zgjidhje kompromisi, pa elaboruar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Përvjetori i vdekjes së Skënderbeut, himni këndohet nga nxënësit e shkollave

Story i radhës

Deputeti i VV-së ‘godet’ Isa Mustafën: Bëri pazare për pushtet

Të fundit nga

Transportuesit privatë në Shkup sot nuk vozisin

Transportuesit privatë në Shkup sot nuk do të dalin në qarkullim, ndërsa ky vendim është sjellë në takimin koordinues të transportuesve të cilët në shenjë revolte dje pasdite kanë fikur automjetet e
ShkoLartë