Regjisori i njohur William Oliver Stone viziton Shqipërinë

min lexim

Regjisori William Oliver Stone një nga më të mëdhenj të kinematografisë botërore, fitues i çmimeve “Oscar” erdhi për herë të parë në Shqipëri. Shoqëruar nga miq dhe bashkëpunëtorë, Stone ka qëndruar pak ditë në vendin tonë, ku ka vizituar peizazhet dhe plazhet e Shqipërisë së jugut.

Prania e Stone përbën një mundësi të madhe promovuese për Shqipërinë, si në nivel turistik dhe kulturor, ashtu edhe në drejtim të tërheqjes së koproduksioneve të mëdha kinematografike. Regjisori i famshëm amerikan, gjatë itinerarit të tij në Shqipëri u ndal edhe në Tiranë, ku vizitoi Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Për vizitën e tij në vendin tonë, u shpreh dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja në rrjete sociale.

“Fitues i disa çmimeve “Oscar”, me filma si Platoon, Born on the 4th of July, JFK, The Doors e shumë filma të tjerë të vlerësuar si Heaven on Earth, Wall Street, Scarface, etj. Ylli Oliver Stone qëndroi për disa ditë në vendin tonë, me mikpritjen dhe shoqërimin e MEKI, ku veçanërisht na gëzoi takimi me kryetarin e QKK, Eol Çashku dhe me zv. ministren e MEKI, Lira Pipa”, shprehet Gonxhja në rrjete sociale që ka ndarë dhe disa foto gjatë vizitës së regjisorit Stone.

William Oliver Stone, i lindur më 15 shtator 1946, në New York, është një legjendë, por përpara se ti përkushtohej kinematografisë, ai kaloi një periudhë në Vietnam si mësues i gjuhës angleze e si vullnetar në këmbësorinë e ushtrisë amerikane në luftën e Vietnamit. Pas plagosjes dhe arrestimit, ai kthehet në Amerikë për të vijuar karrierën që e bëri një njeri të shquar në mbarë botën.

Megjithatë, ai duhej të punonte mbi 10 vite dhe me skenarin e filmit “Platoon” që të fitonte besimin e producentëve dhe të arrinte suksesin. Zbulimi i Stone erdhi në vitin 1978 kur ai fitoi një çmim Oscar për skenarin më të mirë të adaptuar për “Midnight Express”, dramë e një amerikani të burgosur në Turqi, i ngecur në një qerthull vuajtjesh fizike e mendore.

Ky vlerësim i hapi dyert për projektet e ardhshme. Stone bie në sy për karakterin e tij të drejtpërdrejtë dhe mprehtësinë që e dallon si në skenar, ashtu dhe në gjuhën kinematografike. Po ashtu ai ka qenë edhe një zë kritik ndaj çështjeve ndërkombëtare, zë i cili është i dukshëm në punën e tij, produksionin e dokumentarëve dhe deklaratat e tij publike.

Story i mëparshëm

AGK-ja sot zgjedh kryetarin dhe anëtarët e bordit

Story i radhës

Tajvani nën presion, Kina dërgon sërish avionët dhe anijet luftarake rreth ishullit

Të fundit nga