Real Madridi dhe Juventusi zhvilluan pas mesnate një ndeshje miqësore mes vete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndeshja u zhvillua nga ora 02:00 sipas kohës tonë lokale, teksa u fitua pastër 2:0 nga kampionët e Spanjës dhe Evropës.
Karim Benzema shënoi fillimisht në minutën e 19-të nga pika e bardhë, teksa fitoren e vulosi Marco Asensio në minutën e 69-të.
Për skuadrën e drejtuar nga Carlo Ancelotti ishte kjo miqësorja e parë para-sezonale e fituar dhe e treta në total.
“Los Blancos” kishin pësuar humbje në ndeshjen e parë nga Barcelona, kurse luajtën baras me Club American nga Meksika.
Real Madridi nuk do të zhvillojë më ndeshje miqësore, derisa më 10 gusht takohet me Eintracht Frankfurtin në finalen e Superkupës së Evropës.
Skuadra nga Madridi sezonin e ri në La Liga e nis më 14 gusht, me ndeshjen në udhëtim te Almeria.