Partia Demokratike përmes një deklarate të anëtarit të Këshillit Kombëtar të këtij subjekti politik, Çlirim Gjata të shtunën më 16 nëntor, i kërkon Prokurorisë së Posaçme SPAK që të hetojë ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja për blerjen e një mijë metra katrorë tokë në Farkë, me çmim disa fish më të ulët se tregu.
“Pyetja e parë që shkon për ministrin është si e gjeti këtë pazar, a përdori detyrën si ministër apo u shpërblye për ndonjë favor që ka bërë gjatë kohës si ministër i Drejtësisë?”, u shpreh Gjata dhe shtroi dhe pyetjet nëse ministri ka konlikt interesi dhe pse, Arben Maoku, i dënuar për ndërtime pa leje ja ka shitur Manjës tokën me një çmim qesharak, në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës.
Në një investigim BIRN ekspozoi faktin se ministri i drejtësisë, Ulsi Manja investoi 3 milionë lekë për blerjen e një mijë metra katrorëve tokë buzë liqenit të Farkës në vitin 2021, me synimin që ta transformojë atë në një pasuri me vlerë qindramijëra euro. Të dhënat e siguruara nga BIRN sygjerojnë dhe ngrenë dyshime se kjo pasuri u përfitua nga Manja duke anashkaluar çmimet e tregut dhe konfliktin e interesit.
Transaksionet e kryera nga ministri i Drejtësisë ngrenë pikëpyetje, pasi ai e bleu tokën nën vlerën e tregut nga një zyrtar lokal i Partisë Socialiste dhe synon që ta zhvillojë atë përmes një kompanie fituese të një koncesioni nga qeveria “Rama”.
Gjata rendit në deklaratën e tij ato që i cilëson si shkelje të Manjës. sipas tij, toka truall është blerë poshtë çmimit reference dhe me të njëjtën vlerë që është rivlerësuar nga shitësi, duke shmangur taksat e shtetit.
“Së treti, Manja është shefi i një Task Force antikorrupsioni në qeveri. Është ngritur për të luftuar korrupsionin, por e bën vetë se nuk ka besim te të tjerët”, deklaroi Gjata.
Në vijim Gjata ngre pikëpyetje dhe mbi Prokurorinë e Posaçme, duke sjellë në vëmendje se Manja është shpëtuar njëherë nga SPAK për shpalljen e moskompetencës për dosjen e zgjedhjeve të Dibrës.
Ping-pongu mes SPAK-ut dhe Prokurorisë së Dibrës në vitin 2020 lidhur me kompetencën e çështjes së quajtur “Dosja 184”, që kishte lidhje me blerjen e votive në Dibër në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016, solli parashkrimin e veprave penale të kryera për 11 të akuzuar.
Pasi dosja i mbeti Prokurorië së Dibrës, kjo e fundit konkludoi se hetimet kishin “provuar tërësisht” blerjen e votave në Dibër, por për shkak të kohës së kaluar, krimi ishte parashkruar.
Në fund të deklaratës, Partia Demokratike kërkon largimin e menjëhershëm të Ulsi Manjës për korrupsion dhe hetimin e tij.
I pyetur nga BIRN nëse po verifikon dhe po heton këto fakte publike lidhur me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, SPAK nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi./BIRN
Burimi: botasot.info