Reagon ambasada amerikane: Financimet e fshehta ruse, kërcënim për demokracinë

min lexim

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u takua këtë të enjte me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike, si Damian Gjiknuri nga PS, Jorida Tabaku nga PD dhe Monika Kryemadhi nga Partia e Lirisë.

Edhe pse nuk u prononcua për gazetarët pas tij, në një reagim të ambasadës u zbuluan detaje nga takimi.

“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

“Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve”, shton ambasada.

Takimi u mbajt një ditë pasi në një raport të inteligjencës amerikane mbi paratë ruse në partitë politike në Europë, u përmend edhe rasti i 500 mijë dollarëve të kaluara nga Rusia drejt Partisë Demokratike në vitin 2017.

Kreu i atëhershëm i PD, Lulzim Basha, i hodhi poshtë pretendimet, por anëtarë të tjerë të partisë bënë thirrje për transparencë. 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Këshilla e Maldinit për Lea dhe sinqeriteti me mesazh pa “censurë”

Story i radhës

Pesëmbëdhjetë organizata përfitojnë grante nga programi EJA Kosovë i KCSF-së

Të fundit nga