Kryeministri Albin Kurti s’ka pranuar të deklarohet lidhur me thirrjen e Prokurorisë Speciale për intervistim, në cilësinë e dëshmitarit. Mbrojtja e tij edhe e ka larguar gazetarin që ia parashtroi këtë pyetje.
I pyetur nga gazetarët për këtë çështje, Kurti ka thënë se është në nxitim dhe se s’mund të flasë.
“Jam në nxitim sot”, ka thënë ai para gazetarëve derisa po dilte nga salla ku u lansua Projekti i Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve.
Për thirrjen e Prokurorisë njoftoi dje zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili e publikoi edhe dokumentin. Ai duhet të paraqitet në Prokurori më 16 dhjetor, në orën 09:30.
Në dokumentin e Prokurorisë Speciale thuhet se bëhet fjalë për rastin PPSnr. 62/2023, i cili është numri i lëndës për rastin e rezervave shtetërore.
Kjo vërtetohet nga një vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës i 19 gushtit 2023 kur merr vendim për caktimin e masës së paraburgimit për Irfan Lipovicën, Hafiz Garën dhe Ridvan Muharremin.
Burimi: botasot.info