Pothuajse të gjithë shtetasit e Kosovës, të dënuar në rastin “Lagja e Trimave” në Kumanovë duan të transferohen në Kosovë për të vuajtur atje dënimin me burg, për veç Shefqet Hallaçit dhe Hajrush Avdiut. Kështu bëri të ditur për TV21 avokati Naser Raufi.
“Prej klientëve të mi dy refuzojnë të bëjnë transferin Shefket Hallaçi dhe Hajrush Avdia. Shtetas të Republikës së Kosovës unë kam 8 klient, pra 8 të dënuar prej tyre 6 kërkesa unë i kam dorëzuar te ministria e Drejtësisë për transferë, kurse 2 prej tyre refuzojnë të bëjnë procedurën e transferit”, tha Raufi.
Kërkesat për transferim po shqyrtohen në Ministrinë e Drejtësisë. Për kohën se kur pritet që të ndodhin transferimet dhe a pritet që të ketë pengesa, thonë se procedura është komplekse, por sigurojnë se do të veprojnë sipas marrëveshjes bilaterale për transferim të të dënuarve në Republikën e Kosovës dhe sipas legjislacionit të vendit.
“Bëhet fjalë për procedurë komplekse dhe të ngadaltë, në të cilën marrin pjesë më shumë subjekte dhe në të cilën duhet të përmbushen më shumë kritere. Për shkak se procedura zhvillohet para organeve tona, vendin prej nga janë personat informohet atëherë kur përfundon e gjithë procedura, që e njëjta të vazhdojë pastaj para institucioneve të tyre”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Se shtetasit e Kosovës duan të vuajnë dënimin me burg në vendin e tyre të lindjes, organet e Kosovës do të informohen pasi që procedura të përfundojë në vendin tonë. Megjithatë Raufi, nuk sheh ndonjë pengesë, shton se është i nevojshëm vetëm vullneti nga ana e Kosovës.
“Kemi kontaktuar me ministren, kam kontakte edhe me ambasadën e Kosovës. Janë të përfshirë në këtë situatën e transferit dhe kemi edhe ndihmën e tyre edhe të ambasadës, por edhe të ministrisë së Drejtësisë së Kosovës. Ne si avokat kemi qenë edhe në Prishtinë dhe presim që në një periudhë të afërt kohore të zhvillohet dhe realizohet procedura e transferit”, tha Raufi.
Ministria e Drejtësisë së Kosovës nuk iu përgjigj TV21 nëse do t’i pranojnë shtetasit e tyre për të vuajtur dënimin me burg të përjetshëm për ngjarjet e 9 majit në Kumanovë. Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorë të ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, Gjykata Penale në vitin 2017 dënoi 37 persona me 746 vite burg, 7 prej tyre me burg të përjetshëm, ndërsa muaj më parë Gjykata Supreme hodhi poshtë ankesat e të dënuarve si të pabazë dhe vendosi se nuk do të ketë rigjykim të rastit.