Me përplasje mes Komunës e Këshillit të Bashkësisë Islame ka kaluar të mërkurën mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Viti, për çështjen e dy xhamive që kontrollohen nga “imamë të vetëshpallur”.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Husamedin Hoxha, ngriti shqetësimin për rastin e xhamisë në fshatin Ramnishtë e cila vazhdon të jetë, jashtë juridiksionit dhe pa menaxhim të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).
Hoxha tregoi se ka pasur një takim me përfaqësuesit e fshatit Ramnishtë, të cilët e kanë fajësuar për gjendjen e xhamisë dhe pretendon se ata janë nxitur nga zyrtarë të komunës e policisë.
Hoxha shprehet se ajo xhami menaxhohet nga një grup individësh me një imam të vetëshpallur, për çka Këshilli i Bashkësisë Islame i Vitisë nuk ka mundur asnjëherë ta vendos në menaxhim dhe nën ombrellën e tij.
“Në një takim të mbajtur me 18 shtator në zyrën time, me përfaqësuesin e fshatit Raminishtë, dhe në prani të kryeimamit të Bashkësisë Islame në Viti, administratori i fshatit Ramnishtë, (do të shkojë sot pa emra), ka ngritur shqetësimet në lidhje me çështjen e xhamisë së fshatit. I njëjti ka ardhur nga zyrtarët komunalë dhe policor, dhe më është drejtu se të gjithë këta, e fajësojnë kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Vitisë për gjendjen e asaj xhamie e cila nuk është në juridiksionin e BIK-ut”. thotë Hoxha.
“Të nderuar të pranishëm, këto veprime nga këta, emrat nuk po du me i qit sot, kanë ngritur kanosje, apo sulm nga persona të cilët dyshohet se janë ekstremistë fetar, marrin guxim. Administratori i fshatit deklarativisht citoj… dhe tha se kinse KBI- në Viti nuk po dashka me zgjidh këtë problem. BIK është i angazhuar në vazhdimësi për të angazhuar aktivitetet fetare në kuadër të normativave të BIK dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, në kuadër të detyrave që ka BIK. Ne kemi njoftuar organet kompetente për situatën e krijuar me xhamitë, si komunën e policinë, organet tjera shtetërore si AKI-n, e KFOR-in e OSCE-n.” tha kryetari i KBI-së.
Hoxha foli edhe për çështjen e pronës e cila tha se është private ku është e ndërtuar xhamia, derisa shtoi se në konkursin e shpallur për imam, aty nuk është lajmëruar askush pasi ka kërcënime.
“Ajo pronë ajo xhami nuk është nën juridiksionin tim…, përkundër faktit se ajo xhami është ndërtuar me burimet vetanake të banorëve… Ne si KBI kemi hapur konkurs për imam qe ku është konkursi, që në muajin mars, për me ardh aty një imam i rregulltë, por nuk u lajmëru askush, e krejt rregullat se si ne e angazhojmë një imam… Komuna dhe udhëheqësitë e saj, kanë obligim kushtetues për mbështetjen e aktiviteteve të institucioneve siç është BIK-u, kështu duke e ndihmuar në aspektin ligjor dhe operativë për krijimin e kushteve ligjore për vendosjen nën kontrollë të objekteve fetare, shoqërore siç është xhamia këtë rast. Kjo xhami nuk ka kryer obligimet e veta kushtetuese, e para, përcaktimi juridik i pronës, e dyta destinimi i pronës, e treta, përmbushtja e kushteve ndërtimore dhe leja ndërtimore. Atë xhami nuk e menaxhojmë ne, është ilegale për ne dhe imami që shërben aty është ilegal. Fushë veprimi është në dorën e pushtetit dhe komandant se ke kry punën tënde, unë ju kam drejtuar edhe drejtorisë për anti terrorizëm dhe mem fajësu mua komandant është e rëndë, sepe nuk jam person që merrem me thashetheme, kam detyrë me njoftu KKSB-në dhe po flas me argumente”. thotë Hoxha duke shtuar se nuk bëhet fjalë për paaftësi të BIK-ut.
Ndryshe nga Hoxha, nënkryetari i komunës, Hasan Aliu, tregoi se edhe ai vetë ka pritur në takim përfaqësuesit e fshatit Ramnishtë dhe u ka thënë atyre se është detyrë e BIK-ut menaxhimi i xhamive ndërsa për çështjen e pronës, vetëm i ka këshilluar si të veprojnë.
“E kam thënë dhe e thamë edhe sot, detyrë për me i menaxhu xhamitë e ka BIK-u. Komuna nuk i zgjedh imamët, është e drejt e jotja (Hoxhë). Administratori i fshatit ka qenë edhe te unë, ka thanë që je sjell në mënyrë të vrazhdë sa s’bëhet, dje ka qenë ka bisedu me mua i kam emrat… e kanë tregu se nuk po munden me rregullu pronën, i kam thënë se duhet me shku me bë një parakontratë përshkak se parcela qenka në procesin e komasacionit, por të tjerat nuk është kompetencë e jona, drejtoria e Gjeodezisë rregullon pronat, i rregullon letrat.” tha Aliu mes tjerash duke e quajtur dështim dhe paaftësi nga ana e BIK-ut dhe të Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti (KBI), që nuk kanë arritur ta vendosinë xhaminë nën menaxhimin e tyre.
Takimi i KKSB-së ka eskaluar në përplasje e ofendime mes Hoxhës dhe Aliut sa në një moment ky i fundit i kërkoi Hoxhës ta lëshojë mbledhjen.
Ndërkaq, Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Afrim Halili, tha se nuk kanë gjetur se kjo çështje paraqet kërcënim për sigurinë teksa e quajtën problematikë të brendshme të organizimit të BIK-ut.
“Është një problem që nuk është aq i madh, të jeni të bindur e tham me përgjegjësi të madhe, letrat janë në tavolinë kërkesa është te BIK-u, këshilli i fshatit me instistimin tonë kemi mbajtur takime, ka kërku që BIK ta merr në menaxhim xhaminë dhe ta caktojë një imam, fshati e ka kry një pjesë të punës së vet. Te BIK e kanë qit konkursin nuk kanë arritur me zgjedh imamin, çështjen pronësore zgjidhen në një afat me të gjatë, mirëpo njerëzit që dojnë me i kry ritet fetare kanë liri me shku atje.” shprehet ai.
Halili shtoi se janë duke përcjellur situatën por që nuk mund të ndërhyjnë në çështje që janë kompetencë e BIK-ut si ajo se kush zgjidhet imam.
“Në aspekin e sigurisë nuk ka të bëjë kjo me çështje të sigurisë, ne jemi duke e përcjellur situatën. Të jeni të bindur që nuk ka rrezikim të përgjithshëm atje. Ka çështje të rregullimit të brendshëm që policia nuk mundet me ndërhy, ne jemi për siguri, nuk është çështje e policisë kush zgjidhet imam… Imami duhet me u zgjedh me shku atje dhe nëse ndjehet i pa sigurtë apo nëse dikush e sulmon na jemi afër aty, kjo është punë e jona. Policia ka bë shumë punë vetëm me arrit me u zgjidh problemi. Ky është problem i juaji i brendshëm Hoxhë, që ju e keni në tavolinë, bisedoni me banorët, përkrahjen tonë keni me pas por mos mendoni se ne gjejmë imam dhe e dërgojmë atje apo e marrmi çështjen pronësore ta rregullojmë.” tha Halili.
Kujtojmë se javë më parë, Këshilli i Bashkësisë Islame i Vitisë, ngriti alarmin se xhamitë në Skifteraj e Ramnishtë janë duke punuar jashtë juridiksionit dhe pa menaxhim të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe thuhet se kontrollohen nga “imamë të vetëshpallur” dhe se për këtë problem janë njoftuar të gjitha organet shtetërore.