Avokati i Popullit ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e raportuar të dhunës serioze ndërmjet nxënësve, ku një grup nxënësish dyshohet se ka ushtruar keqtrajtim fizik dhe psikik ndaj një bashkënxënëseje, përfshirë poshtërim dhe trajtim degradues.
Institucioni thekson se ngjarje të tilla përbëjnë cenim të rëndë të të drejtave dhe dinjitetit të fëmijës dhe njëkohësisht tregojnë dobësi serioze në sistemin e parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna në shkolla.
Edhe pse, sipas informacioneve fillestare, institucionet kompetente kanë ndërmarrë disa veprime, Avokati i Popullit thekson se kjo nuk është e mjaftueshme dhe kërkon një reagim të plotë, të koordinuar dhe në kohë për mbrojtjen e viktimës.
“Është e domosdoshme të sigurohet mbrojtje e plotë dhe efektive për fëmijën viktimë, si dhe të identifikohen të gjitha mangësitë eventuale në veprimin e institucioneve përgjegjëse”, theksohet në reagim.
Avokati i Popullit paralajmëron veçanërisht për rrezikun e viktimizimit sekondar, duke kërkuar që procesi të zhvillohet me kujdes profesional, shmangie të dëgjimeve të përsëritura dhe garantim të privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës.
Institucioni ka hapur lëndë me vetiniciativë dhe do të kërkojë informacione të detajuara nga të gjitha institucionet kompetente dhe shkolla përkatëse, për të konstatuar nëse:
- janë marrë masa parandaluese në kohë;
- ka pasur sinjale paraprake për dhunë dhe si është vepruar;
- si po sigurohet mbrojtja dhe mbështetja e viktimës;
- dhe nëse po ndërmerren masa adekuate ndaj kryerësve.
Në të njëjtën kohë, Avokati i Popullit ka bërë apel për rritjen e përgjegjësisë prindërore, duke theksuar se familja ka rol kyç në parandalimin e sjelljeve të dhunshme dhe në monitorimin e sjelljes së fëmijëve.
Gjithashtu, theksohet edhe roli i qendrave për punë sociale, të cilat duhet të veprojnë në mënyrë proaktive dhe të koordinuar për të ofruar mbështetje për familjet dhe fëmijët në rrezik, si dhe për të parandaluar pasoja të mëtejshme.
Avokati i Popullit i ka bërë thirrje institucioneve që të veprojnë me urgjencë maksimale, duke theksuar se siguria e fëmijëve nuk duhet të mbetet në nivel formal, por duhet të garantohet përmes mbrojtjes reale dhe efektive.
Institucioni ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ndjekë rastin dhe do ta informojë opinionin publik për zhvillimet dhe gjetjet përkatëse.
Burimi: alfax.mk


