Rasti i 11-vjeçares, Ministrja e Drejtësisë së Kosovës: Do të ketë dhe shkarkime të tjera

min lexim

Dy dorëheqje janë dhënë dhe dy shkarkime janë bërë për rastin e dyshimit të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë. Por, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar edhe për shkarkime tjera të zyrtarëve “që nuk i kanë kryer detyrat e tyre”.

Për rastin e 11-vjeçares janë duke u zhvilluar hetimet në dy çështje të ndara penale, atë të dyshimit për dhunim më 27 gusht nga pesë persona dhe dyshimeve për trafikim, dhunim dhe shërbime seksuale në muajin qershor nga gjashtë persona tjerë.

Për të dy rastet janë arrestuar 11 persona dhe të gjithëve u është caktuar masa e paraburgimit prej nga 30 ditë.

Pas asaj që ka ndodhur ka pasur dy dorëheqje dhe dy shkarkime.

Por, ministrja Haxhiu ka paralajmëruar edhe për veprime tjera ndaj zyrtarëve të përfshirë në rast.

“Ne brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë jemi duke identifikuar persona përgjegjës që mund të ndërlidhen me rastin, në mënyrë që të marrim veprime ndaj tyre”, tha ajo në konferencën për media më 4 shtator.

Haxhiu ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe ka thënë që duhet të merren veprime edhe ndaj “prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk po i kryejnë detyrat e tyre”.
Ajo foli edhe për kresat e organizatorëve të protestës së 31 gushtit, me të cilën qytetarët kërkuan mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna.

Kërkesat janë: Legalizimi përdorimit dhe shpërndarjes i gazit irritues për vetëmbrojtje, shkarkimin e zyrtarëve që nuk e kanë kryer punë e tyre, krijimi i njësitit të specializuar për dhunë seksuale në Policinë e Kosovës, futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla dhe sigurim, drejtësi e rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

Për kërkesën për përdorimin e gazit irritues për vetëmbrojtje, Haxhiu tha se janë caktuar dy grupe punuese në MD dhe MBP, për të bërë analizën ligjore dhe atë të sigurisë.

Me MPB-në tha se janë në komunikim edhe për të përmbushur kërkesën për krijimin e njësitit të specializuar për dhunë seksuale në PK. Ndërsa me Ministrinë e Arsimit tha se janë në komunikim për të përmbushur kërkesën e protestuesve për futjen e lëndës së edukatës seksuale nëpër shkolla.

Për shkarkimin e zyrtarëve tha se “disa janë shkarkuar dhe do të vijojmë edhe me të tjerë”.

E për kërkesën për sigurim, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale, ajo tha se ato përfshihen në shumë prej aktiviteteve të Strategjisë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje 2022-2026.

Protestuesit thanë më 31 gusht se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre “protestat do të masivizohen dhe radikalizohen”.
Në konferencën e përbashkët, ku u fol për vettingun në drejtësi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se mbi 200 gjykatës, nga 400 në total sa janë në gjithë Kosovën, kanë shkanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve për rastet e dhunës seksuale.

“Në mbi 85 për qind të rasteve viktimat ishin vajza të mitura”.

“ E rreth 140 prokurorë, nga rreth 200 sa janë në total në Kosovë, kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste”, tha ai.

Më 2 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar edhe për dy shkarkime.

“Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës”.

Qindra qytetarë u mblodhën të mërkurën në Prishtinë, Shkup e Tiranë për të shprehur revoltën e tyre ndaj dhunës seksuale. Shkas u bë rasti i përdhunimit të një vajze 11-vjeçe, më 27 gusht, në një park të kryeqytetit./rel

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Mjekët amë në Maqedoni janë në grevë, nga e hëna Shoqata e Mjekëve Shqiptarë nuk e përkrah

Story i radhës

Burgjet mbushen me të rinj! Rreth 500 të paraburgosur presin drejtësinë

Të fundit nga