Ka rënie të rasteve të reja të infektimeve me Covid-19 në baza javore në shumicën e vendeve evropiane, përfshirë Maqedoninë me 23 për qind më pak raste krahasuar me shtatëditorin e kaluar.
Komisioni i Sëmundjeve Infektive ka mbajtur një mbledhje javën e kaluar, në të cilën është konstatuar se vendi është në fazën e përhapjes së transmetimit me kapacitete adekuate reagimi dhe në kushte të tilla nuk ka nevojë për masa të reja për Covid-in.
Komisioni bëri apel për sjellje të përgjegjshme dhe respektim të masave aktuale.
“Rekomandimi mbetet për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për qytetarët që i përkasin grupeve të rrezikut për ecuri më të rëndë të sëmundjes, t’u përmbahen të gjitha masave të konfirmuara epidemiologjike për mbrojtjen nga infeksioni, si larja e shpeshtë dhe e plotë ose dezinfektimi i duarve, shmangia turma dhe qëndrimi në dhoma të mbyllura dhe mbajtja e maskave mbrojtëse, si dhe respektimi i rekomandimeve për vaksinimin kundër Covid-19″, apeloi Komisioni.
Aktualisht, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, janë 4218 raste aktive me koronavirus.
Numri më i madh janë nga Shkupi – 1700, ndërsa në Dojran, Demir Kapi, Dellçevë, Makedonska Kamenicë dhe Makedonski Brod ka numër njëshifror të rasteve aktive.
Pehçeva është i vetmi vend pa raste aktive.
Autoritetet shëndetësore në vend dhe në botë, megjithatë tregojnë për vigjilencë për shkak të përkeqësimit të mundshëm të situatës epidemiologjike në vjeshtë.
Në Maqedoni, numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid-19 që nga fillimi i epidemisë është 330.755, numri i të shëruarve është 317.149, ndërsa numri i të vdekurve është 9.388.