Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Rasim Demiri ka dhënë dorëheqje nga ky funksion. Këtë vendim, ai e ka marrë meqë gjatë ditës do të betohet si deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Njoftoj opinionin publik se sapo kam dhënë dorëheqje nga funksioni i drejtorit të Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prizrenit, si rezultat i zgjedhjes sime si deputet në Kuvendin e Kosovës. Sot do të jap betimin si deputet dhe do t’i përkushtohem plotësisht detyrës së re dhe përgjegjësisë që vjen nga besimi i qytetarëve”, ka bërë të ditur Demiri.
Ai ka theksuar se gjatë angazhimit si drejtor komunal, bashkë me ekipin dhe në bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, janë arritur rezultate drejt përmirësimit të sistemit të mbrojtjes sociale, rritjes së përfshirjes së përfituesve të shërbimeve sociale, përmirësimit të kushteve në
Qendrat për punë sociale si dhe janë realizuar projekte që kanë kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës për shtresat më të cenueshme të shoqërisë.Në emër të Partisë Demokratike të Boshnjakëve – Koalicionit VAKAT, dhe personalisht ai ka shprehur mirënjohje për kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, për bashkëpunimin e deritanishëm.
Sipas tij, në ditët në vijim, në marrëveshje me kryetarin Totaj, do të propozohet edhe emri i drejtorit të ri të DPMS-së, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë në punë dhe vazhdimit të projekteve të nisura.
“Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët, institucionet dhe qytetarët për besimin, mbështetjen dhe mirëkuptimin. Para nesh qëndrojnë sfida të reja, por edhe një mundësi e re që zëri i qytetarëve tanë të përfaqësohet fuqishëm në Kuvendin e Kosovës”, ka përfunduar Demiri.
Burimi: botasot.info