Raportuesi i Parlamentit Evropian për dialogun me Moskën, Andrius Kubilius tha se elita politike serbe duhet të kuptojë se presidenti rus Vladimir Putin është duke e humbur luftën në Ukrainë dhe se është koha për t’u rreshtuar në anën e duhur.
Ish-kryeministri i Lituanisë thotë se Serbia duhet ta përcaktojë qartë qëndrimin e saj politik, pasi sipas tij e ardhmja e vendit varet në bazë të sjelljes së saj.
“Mendoj se është më mirë të jesh në anën e atyre që do të fitojnë dhe jo me ata që do ta humbin luftën. Demokracia më në fund do të fitojë, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha Kubilius në një intervistë për mediat serbe.
Ai thekson se regjimi aktual i Kremlinit nuk duhet të rimëkëmbet.
“Lufta duhet të përfundojë me fitoren e plotë të Ukrainës e Perëndimit dhe se forcat ushtarake ruse duhet të munden plotësisht. Kjo është e nevojshme, sepse ne nuk duhet të lejojmë që regjimi aktual nga Kremlini të rimëkëmbet dhe të përpiqet të sulmojë një vend tjetër në afërsi të tij në dy ose tre vjet”, tha ai.
Kubilius thotë se liderët në Serbi duhet të mendojnë seriozisht dhe t’i shikojnë planet afatgjata.
“Këshilla ime për liderët politikë në Serbi është që të mendojnë seriozisht dhe t’i shikojnë ngjarjet në planin afatgjatë. Padyshim që nuk do të ketë më vend për Putin-in dhe Qeverinë e tij në Rusi. Sigurisht, disa njerëz brenda BE-së do të formojnë imazhin dhe pozicionin e tyre ndaj Serbisë bazuar në mënyrën se si ajo u soll në këtë periudhë strategjike vendimtare. Mendoj se është më mirë të jesh në anën e atyre që do të fitojnë dhe jo me ata që do ta humbin luftën”, përfundoi Kubilius.
Serbia është i vetmi shtet në rajon që ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe përmes protestave i ka dhënë mbështetje agresionit ushtarak rus në Ukrainë.