Raportohet se Britania i ka dhënë leje Ukrainës për sulme thellë brenda Rusisë

September 12, 2024
1 minut lexim

Britania e Madhe i ka dhënë leje Ukrainës, mbrapa dyerve të mbyllura, që t’i përdorë raketat e saj me rreze të gjata veprimi për të kryer sulme thellë brenda tokës ruse, raportojnë mediat britanike.

Sipas gazetës Guardian, burime qeveritare kanë thënë se është marrë tashmë vendimi për ta lejuar Kievin t’i përdorë raketat lundruese të prodhuara nga Britania, Storm Shadow, për sulme brenda Rusisë, megjithëse vendimi nuk është bërë publik dhe me gjasë nuk do të bëhet publik as në të ardhmen.

Zyrtarët britanikë nuk e kanë komentuar raportimin e Guardianit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kohë që u bën thirrje vendeve të Perëndimit t’i heqin kufizimet ndaj vendit të tij për përdorimin e armëve me rreze të gjata veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.

Të martën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se administrata e tij është duke punuar për ta gjetur një mënyrë për heqjen e këtyre kufizimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe homologu i tij britanik, David Lammy, ishin në një vizitë të përbashkët në Ukrainë të mërkurën, ku njoftuan ndihmë të re për Kievin.

Blinkeni njoftoi mbi 700 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën, ndërsa Lammy konfirmoi se vendi i tij do t’ia japë Ukrainës edhe 600 milionë funte ndihmë dhe hua të garantuara.

Të enjten, forcat ruse kryen sulme në qytezën Konotop në rajonin Sumi në verilindje të Ukrainës mëngjesin e së enjtes, ku u plagosën 14 njerëz, sipas zyrtarëve vendës.

Infrastruktura civile dhe objektet energjetike ishin në shënjestër të sulmeve, sipas tyre.

Administrata ushtarake e rajonit tha se Rusia përdori dronë kamikazë të tipit Shahed gjatë këtyre sulmeve.

Rusia e ka goditur në mënyrë sistematike infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke i shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, gjë që e ka kufizuar furnizimin e banorëve me rrymë dhe ka shkaktuar reduktime të vazhdueshme.

Ndërkohë, Ukraina është përgjigjur duke kryer sulme me dronë thellë brenda Rusisë, ku ka dëmtuar objekte të energjisë që janë vendimtare për ushtrinë ruse, kryesisht depo të naftës./REL

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Filipçe: “Branitellat” nuk provokojnë asnjë etni, jemi të gatshëm për diskutim

Story i radhës

Pier, humbi përballjen e tenisit për vetëm 37 minuta!?

Të fundit nga

ShkoLartë